TIRANE- Këshilli i Ministrave ka propozuar dje zëvendësministren e Mirëqenies Sociale, Gentiana Sula, për postin e anëtares së Autoritetit për informimin në dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit. Propozimi i qeverisë do të kalojë për votim në parlament, për t’i hapur më pas rrugën për të drejtën e informimit në dosjet e Sigurimit të Shtetit.

Autoriteti, sipas përcaktimeve të ligjit të miratuar më 30 prill 2015, përbëhet nga 5 anëtarë, ku dy anëtarë do të propozohen nga Kuvendi, një anëtar i propozuar nga Këshilli i Ministrave, një përfaqësues i propozuar nga shoqatat e të përndjekurve politikë, nga radhët e kandidatëve të mbështetur nga jo më pak se 28 deputet dhe një përfaqësues i propozuar nga Shoqata për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, nga radhët e kandidatëve të mbështetur nga jo më pak se 28 deputetë.