Mes pistave që Policia dhe Prokuroria po heton për vrasjen e Artan Cukut, është edhe një dosje që ish-drejtori i Vlorës ka rihapur me iniciativën e tij.
 
Bëhet fjalë për përplasje me armë që ka ndodhur në Vlorë në vendin e quajtur “Pusi i Mezinit”. Grupe kriminale që merreshin me trafikun e drogës ishin përplasur fillimisht në Spanjë dhe më pas në Vlorë.
 
Dosja ishte e mbyllur por ka qenë Artan Cuku ai që rihapi hetimet, çka solli më pas edhe arrestimin e një personi.
 
Pak ditë pas kësaj ngjarje, ish drejtori i Policisë së Vlorës është kërcënuar me jetë.

Por cila ishte kjo dosje sekrete? 
Burime të Report TV bëjnë me dije se në janar të 2013 u arrestua Bledar Jambelli, lindur dhe banues në Mbrostar të Fierit, si i dyshuar për vrasjen e Shpëtim Mukës, Ervis Shehut (shok i Mukës), dhe plagosjen e Edvin Zanajt.

Prokuroria e Vlorës kishte pezulluar procedimin penal për moszbulim të autorëve, por dosja u rihap nga Artan Cuku. Në fakt bëhej fjalë për një konflikt të nisur në 1997 dhe të vijuar edhe në Spanjë ku kanë ndodhur disa vrasje mes grupeve kriminale.

Për këtë ngjarje është arrestuar edhe Armando Zanaj, i cili ka vrarë nënën e Sokol Ramës, njërit prej drejtuesve të bandave rivale. është pikërisht hapja e kësaj dosje, njëra prej pistave kryesore që dyshon Policia se mund të ketë lidhje me vrasjen e Artan Cukut.
 
Ndërkohë kur ka qenë në strukturat e Fierit, Artan Cuku ka rihapur një tjetër dosje të mbyllur. Në atë kohë filluan hetimet për një grup kriminal që vepronte jashtë shtetit, por që pastronte paratë në Fier.
 
Edhe në këtë rast Policia dyshon se mund të ketë persona që janë hakmarrë ndaj Artan Cukut.
 
Për të dyja këto raste Uniformat Blu janë duke riparë dosjet dhe pritet që të merren në pyetje disa persona.
 
Artan cuku u vra mbrëmjen e së shtunës në “Rrugën e Kosovarëve” në Tiranë. Ai ishte duke shkuar për në banesën e tij, kur një person i ka zënë pritë, ndërkohë që një tjetër ishte pas tij.
 
Fillimisht Artan cuku është përleshur me njërin prej atentatorëve, por më pas ndaj tij është qëlluar 7 herë nga dy pistoleta të ndryshme.
 
Atentatorët pasi e kanë qëlluar disa herë me plumba në trup janë afruar dhe e kanë qëlluar edhe në kokë. Më pas dyshohet se vrasësit janë larguar në këmbë nga zona pranë Liqenit Artificial.
 
E gjithë ngjarja ka ndodhur për 40 sekonda. Ndërkohë Policia ka sekuestruar të gjitha kamerat e sigurisë në zonë dhe ka krijuar identifikimin e njërit prej autorëve.
 
Administratori i pallatit ka thënë në Polici se ka folur me njërin prej vrasësve se çfarë po priste aty dhe ai i është përgjigjur me dialekt verior se po pret çelësin e shtëpisë.
 
Vëllezërit e Artan Cukut kanë dëshmuar gjithashtu në Polici.
 
Ata thanë se ish drejtori i policisë në Vlorë nuk ka pasur konflikte dy vitet e fundit, pasi është liruar nga detyra.
 
Vëllezërit e tij këmbëngulin se vrasja ka lidhje me kohën që Artan Cuku ka qenë drejtues në Polici.
 
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com