TIRANE- Propozimet e bëra nga Komisioni për Arsimin e Lartë sa i përket reformës që duhet të kryhet në këtë sistem duket se kanë sjellë përplasjet e para mes pedagogëve dhe MAS. Kanë qenë pedagogë të Fakultetit Histori- Filologji ata të cilët janë ngritur të parët kundër këtyre ndryshimeve të cilat pasqyrohen në draftin e bërë publik vetëm një javë më parë. Sipas tyre, këto ndryshime cënojnë drejtpërsëdrejti autonominë në universitete.

Skema e financimit të Universiteteve dhe funksionimi i tyre si fondacione, ka qenë çështja më e kontestuar nga forumi për Liri Akademike dhe Autonomi Universitare. Profesori Mark Marku e ka cilësuar rrezik për ekzistencën e Universiteteve, kthimin e tyre në fondacione. Ky status i ri për studentët do të thotë tarifa të papërballueshme, ndërsa për Universitetin falimentim. “Për studentët shqiptarë, nëse modeli vetëfinancues duhet të jetë i suksesshëm atëherë duhet të paguajë diku tek 30 mijë euro në vit. Une mendoj se mund të jenë vetëm 10 apo 20 studentë të cilët mund të përballojnë një pagesë të tillë”, ka deklaruar Mark Marku, pedagog në lëndën e gazetarisë.

Grupi i pedagogeve ka bërë publike edhe kontradiktat që ekzistojnë brenda vetë projektit. Në të propozohet që Universitet të funksionojnë me vetëfinancim si fondacione, por nga ana tjetër sugjerohet ngritja e një bordi me përfaqësues të emëruar nga qeveria të cilët do të kontrollojnë dhe menaxhojnë të ardhurat e Universitetit. Për akademikun Artan Fuga, por dhe profesorë të tjerë kjo nismë është shkelje e hapur e autonomisë financiare. “Përse njerëzit e emëruar, 5 administratorë të emëruar me rroga që të të mos jenë pedagogë dhe drejtues, por që paguhen me rroga fikse, mundet që të mirën publike ta menaxhojmë mirë. Kurse trupa të tëra pedagogjike, të cilat edhe ato përfaqësojnë të mirën publike dhe janë njerëz publikë nuk e bëjnë dot”, sqaroi Anëtari i Akademisë së Shkencave, Artan Fuga.

Pedagoget e Universitetit të Tiranës kanë kërkuar rishikimin e dokumentit edhe për pjesën e pranimeve në Universitete. “Ne përgatisim pa fund filozofë kamerierë, ne përgatisim pa fund sociologë të cilët punojnë në call-senter. Duhet të vendosim meritokracinë, jo çdo nxënës gjimnazi me Formularin A1, A2 A3 ... pavarësisht performacës që ka, për shkaqe elektoraliste vjen në universitet”, ka theksuar Fuga.
Forumi për Liri Akademike deklaroi se do të vijojë debatin për të kërkuar ndryshime dhe në ato pika që bien ndesh me autonominë e Universiteteve. Ndërkohë anëtarë të Komisionit të Arsimit të Lartë janë shprehur të hapur për kritika dhe sugjerime ndaj projektit, i cili pas një procesi debati me grupet e interesit, në muajin korrik parashikohet të kaloje për miratim në Kuvend.

Shkrimi u publikua sot, 6 maj 2014 në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia online
(d.a/shqiptarja.com)