Drafti i ri i ligjit te Lustracionit i pergatitur nga Ballauri, Biberaj, Meksi e Baze

LIGJI PER PASTERTINE E FIGURAVE TE FUNKSIONAREVE TE LARTE TE ADMINISTRATES PUBLIKE E TE ZGJEDHURVE

Në mbështetje të nenit 81 dhe nenit 83 pika 1 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë,

Neni 1 / Qëllimi i ligjit

1. Ky ligj ka për qëllim të kontrollojë pastërtinë e figurës së çdo funksionari publik të zgjedhur apo të emëruar për periudhën 24.10.1944 deri në 31.03.1991 lidhur me pjesëmarrjen e tij në strukturat politikëbërëse dhe zbatuese të diktaturës së proletariatit, si dhe drejtues apo punonjës operativ (legal apo ilegal), apo bashkëpunëtor sekret i ish-Sigurimit të Shtetit, deri më 02.07.1991 kur u krijua Shërbimi Informativ Kombëtar.
2. Ligji ka për qëllim të rregullojë ruajtjen, përpunimin, administrimin dhe përdorimin e të dhënave të arkivave të ish-Sigurimit të Shtetit në mënyrë që:
a. të garantojë aksesin individual në të dhënat personale të cilat Shërbimi i Sigurimi i Shtetit mblidhte e arkivonte për personin, për të njohur qëndrimin e gjykimin për personin dhe pasojat.
b. të sigurojë mbrojtjen e individit nga dëmtimi i të drejtës për privatësi të shkaktuar nga përdorimi i të dhënave personale të ruajtura; 
c. të sigurohet njohja e plotë e veprimtarisë së organeve të diktaturës së proletariatit dhe Partisë së Punës në këto drejtime;
d. ti jepet mundësi institucioneve publike si dhe dhe privatëve për të marr informacionin e kërkuar për të arritur qëllimet e përcaktuara në këtë ligj.
3. Ky akt do të jetë i zbatueshëm për të dhënat e arkivave, të cilat mund të gjenden në posedim të institucioneve publike të shtetit shqiptar, të individëve privatë, apo të organeve të tjera private. 

Neni 2/Objekti i ligjit

Objekti i këtij ligji është përcaktimi i funksioneve shtetërore, mbajtja e të cilave është e papajtueshme, për arsye të veprimtarisë së funksionarit në të kaluarën e tij, për shkak të qenies anëtar, drejtues apo bashkëpunëtor në strukturat politikëbërëse dhe zbatuese të dhunës së diktaturës së proletariatit apo të ish-Sigurimit të Shtetit.
Papajtueshmëria e funksioneve përcaktohet sipas kritereve dhe procedurave të këtij ligji.
Brenda tre muajve nga krijimi, Autoriteti duhet të informojë publikun për gjendjen e materialeve arkivore të ish-Sigurimit të Shtetit, ruajtjen e dokumenteve, dëmtimet eventuale, shkaqet dhe përgjegjësitë.
Brenda një viti nga krijimi i Autoritetit, krijohet Arkiva Qendrore e ish-Ministrisë së Punëve të Brendshme në varësi të Këshillit të Ministrave ku grumbullohet gjithë dokumentacioni që sot është i shpërndarë. Ky arkiv me mbarimin e afateve të veprimit të këtij ligji dorëzohet në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave.

Neni 3/ Subjektet e verifikimit

Subjekte të verifikimit sipas këtij ligji, janë të gjithë funksionarët publikë, të zgjedhur apo të emëruar, të cilët aktualisht ushtrojnë apo do të ushtrojnë një nga funksionet e mëposhtme:
a) Presidenti i Republikës së Shqipërisë
b) Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë;
c) Anëtarët e Këshillit të Ministrave, zëvendësministrat, sekretarët e përgjithshëm, funksionarët politikë, drejtorët e përgjithshëm dhe drejtorët e drejtorive të dikastereve, si dhe të barazuarit me ta në strukturat e tjera shtetërore;
d) Anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë si dhe gjyqtarët e prokurorët e të gjitha niveleve të gjykatave dhe prokurorive;
e) Funksionarë të lartë të Presidencës, administratës së Kuvendit, të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të Gjykatës së Lartë, të Gjykatës Kushtetuese, të Prokurorisë së Përgjithshme, sipas rangjeve të caktuara në pikën c;
f) Guvernatorë, zëvendës-guvernatorë, anëtarët e Këshillit drejtues dhe drejtorët e Bankës së Shqipërisë;
g) Funksionarë në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë, si dhe oficerët me gradë “Gjeneral” dhe “Kolonel”;
h) Prefektët, kryetarët e këshillave të qarkut si dhe kryetarët e bashkive dhe komunave;
i) Drejtuesit e drejtorive të administratës publike në nivel qarku dhe prefekture;
j) Anëtarët e këshillave të qarkut si dhe të këshillave bashkiake;
k) Funksionarë në Shërbimin Informativ Shtetëror (SHISH), në Shërbimin Informativ Ushtarak (SHIU) dhe në Shërbimin i Kontrollit te Brendëshëm (SHKB);
l) Funksionarë në Gardën e Republikës;
m) Drejtues të Policisë së Shtetit, drejtorë dhe shefa policie në nivel qarku si dhe në nivel komisariati;
n) Ambasadorë, këshilltarë e sekretarë në përfaqësitë tona diplomatike;
o) Drejtuesit dhe anëtarët e forumeve drejtuese në nivel qëndror apo lokal të partive politike parlamentare si dhe të atyre që financohen nga buxheti i shtetit;
p) Drejtues, kryeredaktorë të mediave audio-vizive, si dhe te mediave të shkruara me një tirazh ditor më të madh se 1000 kopje në ditë;
q) Drejtori i Përgjithshëm, zëvendësdrejtorët e përgjithshëm, drejtori dhe zëvendësdrejtori i Radios, drejtori dhe zëvendësdrejtori i Televizionit dhe drejtorët e departamenteve në Radiotelevizionin Publik Shqiptar; drejtori, zëvendësdrejtori dhe drejtorët e departamenteve në ATSH, si dhe anëtarët e KKRT dhe këshillave drejtues të mediave publike;
r) Rektorë, zv/rektorë, dekanë të universiteteve shtetërore publike dhe private si dhe drejtorët e shkollave të mesme publike dhe private.
s) Përfaqësuesit e lartë të komuniteteve fetare me nënshtetësi shqiptare.
t) Çdo person tjetër i dekretuar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë apo i zgjedhur nga Kuvendi

Neni 4/Papajtueshmëria e funksioneve

Pastërtia e figurës morale të funksionarit, të përcaktuar në Nenin 3 të këtij ligji, është e papajtueshme, me mbajtjen prej tij, gjatë periudhës 24.10.1944 deri 31.3.1991 të një prej detyrave të mëposhtme:
a) Anëtar ose kandidat i Byrosë Politike, anëtar ose kandidat i Komitetit Qendror të PPSH-së, sekretar i parë ose i dytë i komitetit të partisë së rrethit, kryetar ose zv. kryetar i komitetit ekzekutiv të rrethit;
b) Anëtar qeverie, anëtar i Këshillit Presidencial, kryetar dhe anëtar i Gjykatës së Lartë, Prokuror i Përgjithshëm dhe zëvendës të tij, para zgjedhjeve të 31 Marsit 1991.
c) Zv. Ministër i Punëve të Brendshme, oficer madhor apo funksionar drejtues i organeve të Sigurimit të Shtetit si dhe kryetar dege; punonjës operativ (legal apo ilegal), bashkëpunëtor sekret i organeve të Sigurimit të Shtetit ose që ka bashkëpunuar në çdo mënyrë tjetër me Sigurimin e Shtetit, deri më 2.07.1991 kur krijohet SH.I.K.
d) Ambasador, sekretar ambasade dhe këshilltar në përfaqësitë diplomatike shqiptare.
e) Bashkëpunëtor si dhe agjent në shërbim të shërbimeve të huaja;
f) Anëtar i Komisionit Qendror të Dëbim-Internimeve;
g) Hetues në organet e Sigurimit të Shtetit si dhe prokuror, gjyqtar apo ndihmës gjyqtar në procese politike speciale;
h) Denoncues apo dëshmitar rëndues në proceset politike.

Neni 5/Statusi dhe Përbërja e Autoritetit

Për zbatimin e këtij ligji, krijohet Autoriteti i Kontrollit të Figurës (AKF), i cili organizohet dhe funksionon si autoritet i pavarur.
Autoriteti është organ i përhershëm mbikëqyrje dhe kontrolli i pastërtisë së figurave të funksionarëve.
Autoriteti përbëhet nga 5 anëtarë, të cilët propozohen si vijon:
a) Presidenti i Republikës;
b) Këshilli i Ministrave;
c) Avokati i Popullit;
d) Grupi parlamentar më i madh i mazhorancës;
e) Grupi parlamentar më i madh i opozitës.

...Neni 9/Veprimtaria e Autoritetit

a) Autoriteti organizohet dhe funksionon si Autoritet i pavarur, si organ i përhershëm mbikëqyrjeje dhe kontrolli i pastërtisë së figurave të funksionarëve sipas kritereve të përcaktuara në këtë ligj.
b) Autoriteti, gjatë veprimtarisë së tij, mbështetet nga sekretariati, rekrutimi i të cilit bëhet nga Autoriteti, mbi baza të aftësisë profesionale dhe plotëson kërkesat e nenit 6. Numri i personelit ndihmës dhe buxheti i Autoritetit përcaktohet me vendim nga Këshilli i Ministrave.
c) Autoriteti gjatë veprimtarisë së vet, gjithashtu asistohet nga personeli ndihmës i SHISH, Ministrisë së Brendshme si dhe i Drejtorisë së Përgjithëshme të Arkivave, për të cilët është bërë më parë verifikimi i pastërtisë së figurës.
d) Kryetari dhe anëtarët e Autoritetit përfitojnë pagën sipas tabelës përkatëse të pagave të ligjit nr. 9584, datë 17.7.2006 “Për pagat, shpërblimet dhe strukturat e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe të institucioneve të tjera të pavarura, të krijuara me ligj”, të ndryshuar.
e) Autoriteti për veprimtarinë e tij informon çdo tre muaj Kuvendin e Shqipërisë, Presidentin e Republikës dhe Qeverinë.

...Neni 11/Të drejtat e Autoritetit

AKF-së, në funksion të përmbushjes së detyrave të ngarkuara me këtë ligj, ka të drejtë të kërkojë t’i vihen në dispozicion në arkivat përkatëse të gjitha materialet arkivore, duke përfshirë edhe dokumentet e Partisë së Punës të Shqipërisë, nga të cilat mund të merren të dhëna për veprimtarinë e Sigurimit të Shtetit dhe të personave të veçantë, qe kanë të bëjnë me zbatimin e këtij ligji dhe të kërkojë dublikate për dokumentet që do të përfshihen në dosjen e verifikimit të subjektit,.
Ministria e Brendshme, Shërbimi Informativ Shtetëror, Ministria e Mbrojtjes, gjykatat dhe prokuroritë, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave apo çdo institucion tjetër shtetëror detyrohen të mundësojnë këtë pranë Autoritetit, brenda 10 ditëve nga marrja e kërkesës,
Autoriteti paralelisht me verifikimin e figurave te zyrtareve dhe të kërkesave që mund të marrë nga subjekte të ndryshme, do të menaxhoje dhe hapjen e të gjitha dosjeve të ish- bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit.

Neni 12/Nisja e procedurës së verifikimit

Autoriteti vihet ne lëvizje dhe nis procedurën e verifikimit të funksionareve:
a) kryesisht, për të gjithë subjektet e përcaktuara në nenin 3, të këtij ligji
b) me kërkesë me shkrim, të titullarit të institucionit apo organit të emërtesës së tij, për funksionarin publik;
c) me kërkesë të vetë subjektit ose të personit, kur ai kandidon në mënyrë të pavarur në një proces zgjedhor.

Neni 13/Detyrimi për njoftime për emërimet apo zgjedhjet e reja

1. Drejtuesi i çdo institucioni depoziton tek Autoriteti, brenda 10 ditëve, njoftimin për kandidatët për emërime në një nga funksionet e përcaktuara në nenin 3 të këtij ligji. Akti i emërimit bëhet vetëm pas marrjes së dëshmisë së verifikimit të figurës së zyrtarit nga Autoriteti.

2. Në rastin e kandidatëve për tu zgjedhur në Kuvend, në organet e qeverisjes vendore apo në organe të tjera përfaqësuese, ata i nënshtrohen verifikimit të figurës së zyrtarit përpara regjistrimit si kandidat në procesin përkatës zgjedhor. Ky njoftim bëhet nga kandidati ose propozuesit e tij dhe është i detyrueshëm

3. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk e regjistron kandidatin në rast se ky nuk paraqet dëshminë e verifikimit.

4. Regjistrohen ata kandidatë që kanë marrë nga autoriteti përgjigje negative, në se kandidojnë si të pa varur ose vota është shprehur për ta (në mazhoritar apo me votë preferenciale). Në këto raste autoriteti publikon aktivitetin e tyre.

Neni 14/Thirrja e mbledhjes për procedurën e verifikimit

Kryetari i Autoritetit ose, në mungesë të tij, zëvendëskryetari, me autorizim të kryetarit thërret mbledhjen për procedurën e verifikimit brenda 3 ditëve nga data e marrjes së kërkesës për verifikim nga subjektet e përcaktuara në nenin 13 të këtij ligji.

...Neni 18/Rezultatet përfundimtare
të procedurës së verifikimit

1. Në përfundim të procedurës së verifikimit, Autoriteti:
a) Kur rezulton se subjekti i verifikuar është i papërfshirë në veprimtaritë e përcaktuara në nenin 4 të këtij ligji, vendos për lëshimin e dëshmisë së pastër të figurës morale. Kjo dëshmi plotësohet sipas formularëve të aneksit “A” dhe “A/1” bashkëlidhur këtij ligji dhe nënshkruhet nga kryetari apo, në mungesë të tij, nga zëvendëskryetari. Dëshmia i komunikohet kërkuesit të procedurës së verifikimit, si dhe subjektit të verifikuar.
b) Kur rezulton se subjekti i verifikuar është i përfshirë në veprimtaritë e përcaktuara në nenin 4 të këtij ligj i, vendos të lëshojë dëshminë e verifikimit të figurës morale, sipas formularit të aneksit “B/1” bashkëlidhur këtij ligji. Kjo dëshmi, e nënshkruar nga kryetari ose, në mungesë të tij, nga zëvendëskryetari, i njoftohet subjektit të verifikuar si material konfidencial. Pas marrjes së dëshmisë, sipas kësaj shkronje, subjekti i verifikuar ka të drejtë të njihet me aktet e përfshira në dosjen e tij pranë Autoritetit nëpërmjet nënshkrimit të formularit për mbrojtje të informacionit të klasifikuar.
2. Kur zyrtari nuk është dakord me vendimin e shkronjës “b’’, te paragrafit te parë te këtij neni apo ka pretendime te tjera ndaj komisionit, ai gëzon te drejtën te paraqesë shpjegime me shkrim dhe dokumentacion provues për çështjen brenda 30 ditëve. Komisioni ka detyrim të shqyrtojë shpjegimet e zyrtarit dhe brenda 10 ditësh nga paraqitja e tyre të vendos:
a) lënien ne fuqi të vendimit, ose:
b) ndryshimin e tij.
Një kopje e këtij vendimi i njoftohet brenda 10 ditësh, zyrtarit dhe institucionit të tij të punës apo organit që e ka zgjedhur. Komisioni lëshon dëshminë verifikimit, sipas formularit “përkatës”; ose lëshon dëshminë, sipas shkronjës “a” të pikës 1 të këtij neni. 
Njoftimi i institucionit kryhet sipas formularit “B”. Ky vendim mund të ankohet vetëm sipas procedurës së përcaktuar në nenin 21 të këtij ligji.

Neni 19/Vlera e dëshmisë së verifikimit

Dëshmia e verifikimit, ka fuqi të plotë provuese mbi faktin e pastërtisë së figurës së çdo funksionari publik të zgjedhur apo të emëruar. 

Neni 20/Ankimi gjyqësor

1. Subjekti i verifikuar mund të ankimojë dëshminë e verifikimit, sipas shkronjës “b” pika 1 të nenit 18 të këtij ligji, në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor. 
2. Me kërkesë të subjektit që verifikohet, gjykata vendos zhvillimin e gjykimit me dyer të mbyllura.
3. Kundër vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor subjekti i verifikuar mund të ankohet në gjykatën e apelit brenda afateve të parashikuara në Kodin e Procedurës Civile. Subjekti i verifikuar mund të ushtrojë rekurs në Gjykatën e Lartë brenda afateve të parashikuara në Kodin e Procedurës Civile.

Neni 22/Pasojat e dëshmisë në rastin
e personave që do të kryejnë një funksion publik

1. Kërkuesi i procedurës ose vetë subjekti i verifikuar, menjëherë pas marrjes së dëshmisë së verifikimit, të lëshuar sipas shkronjës “a “ të pikës 1 të nenit 19 të këtij ligji, e paraqet për depozitim atë në institucionin, pranë të cilit do të fillojë të kryejë funksionin publik ose pranë organit që bën regjistrimin e kandidatëve për proces zgjedhor.
2. Kërkuesi i procedurës, menjëherë pas marrjes së dëshmisë së verifikimit, të lëshuar sipas shkronjës “b” të pikës 1 të nenit 19 të këtij ligji, thërret subjektin e verifikuar dhe i njofton atij skualifikimin nga vazhdimi i mëtejshëm i procedurës së emërimit ose zgjedhjes, për shkak të padenjësisë së figurës së tij.
3. Kur subjekti i verifikuar deklaron se ka bërë ankim gjyqësor dhe paraqet kopje të aktit të ankimit, procedura e pikës 2 të këtij neni nuk pezullohet derisa vendimi i gjykatës të marrë formë të prerë. 

Neni 23/Pasojat e dëshmisë në rastin e personave në detyrë

1. Kërkuesi i procedurës së verifikimit, menjëherë pas marrjes së dëshmisë së verifikimit, të lëshuar sipas shkronjës “a” të pikës 1 të nenit 19 të këtij ligji, e depoziton atë në dosjen individuale të personelit.
2. Kërkuesi i procedurës së verifikimit, brenda 3 ditëve nga lëshimi i dëshmisë së verifikimit, sipas shkronjës “b” të pikës 1 të nenit 19 të këtij ligji, depoziton dëshminë në dosjen individuale të personelit dhe njofton subjektin e verifikuar për zhvillimin e një seance të mbyllur informuese brenda 10 ditëve.
Në këtë seancë marrin pjesë edhe dy persona të caktuar nga titullari i institucionit ose organi i emërtesës. Gjatë zhvillimit të kësaj seance informuese mbahet procesverbal, i cili nënshkruhet nga të gjithë të pranishmit. Subjekti i verifikuar, nëse e kërkon, pajiset me një kopje të procesverbalit. 
3. Kur subjekti i verifikuar deklaron se ka ankimuar procedurën e verifikimit të zhvilluar nga Autoriteti dhe paraqet kopje të ankimit të tij, seanca informuese shtyhet për t’u zhvilluar menjëherë pas marrjes formë të prerë të vendimit gjyqësor.
4. Në rastet e tjera, kur subjekti i verifikuar në përfundim të seancës deklaron ose depoziton dorëheqjen e menjëhershme nga detyra, akti i dorëheqjes arkivohet në dosjen personale të subjektit dhe materiali verifikues (dëshmia e verifikimit dhe procesverbali i seancës informuese) mbetet konfidencial. 
5. Kur subjekti i verifikuar deklaron se nuk dëshiron të japë dorëheqjen nga funksioni, atëherë, brenda 10 ditëve nga seanca informuese, mbi bazën e dëshmisë së verifikimit, përfundojnë marrëdhëniet e tij të punës me motivacionin “papajtueshmëri e figurës së funksionari sipas këtij ligjit”.

Neni 24/Transparenca me publikun

1. Autoritetit i Kontrollit të Figurave do të publikojë në faqen e vet zyrtare, informacion për numrin dhe emrat e personave zyrtarë të verifikuar sipas këtij ligji.
Ky informacion përditësohet çdo javë
2. Autoriteti duhet që brenda 90 ditëve të publikojë edhe Listat e përpunimit aktiv A-2 dhe B-2, si dhe emrat e personave për të cilët ka denoncime.
3. Autoriteti brenda 120 ditëve të publikojë Listat e plota të drejtuesve dhe punonjësve (legal dhe ilegal) të Sigurimit të Shtetit dhe të Hetuesisë së tij në vite

Neni 25/E drejta për t’u njohur me dosjen personale

1. Çdo shtetas shqiptar ka të drejtë të njihet me të dhëna personale, në lidhje me atë që përmbajnë dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, ose arkivat e tjere sipas përcaktimeve të këtij ligji. Kërkesat për këtë mund të paraqiten 6 muaj pas fillimit të punës nga Autoriteti
2. Për njohjen e këtyre të dhënave shtetasi paraqet kërkesë me shkrim në Autoritetin Shtetëror. Autoriteti, brenda 90 ditëve nga paraqitja e kërkesës, është i detyruar të kthejë përgjigje negative nëse nuk ka të dhëna ose, nëse ka të dhëna, të sigurojë mundësinë që shtetasi të njihet me to. Në çdo rast shtetasi njihet vetëm me të dhënat personale të tij dhe i ndalohet të njihet me të dhënat e personave të tretë të tjerë që mund të përmbajë dosja e tij.....
3. Rregulla të hollësishme për zbatimin e këtij neni përcaktohen në Rregulloren e Funksionimit të Autoritetit.

Neni 26/Përdorimi i të dhënave të Shërbimit të Sigurimit të shtetit nga organet publike dhe private.

1) Nëse Autoriteti vendos ose vihet në dijeni se të dhënat në dosjen personale të subjektit janë të pasakta apo janë kontestuar nga ana e subjektit atëherë mbahet një procesverbal me vërejtje në lidhje me verifikimet e bëra sipas rastit.
2) Interesat e ligjshme të personave të tjerë nuk mund të dëmtohen nga përdorimi i të dhënave.

Neni 27/Fondi arkivor

Komisioni, brenda 3 muajve, i vihet në dispozicion, dublikatat e dokumenteve dhe fondit arkivor të komisioneve të ngritura me ligjin nr. 8043, date 30.11.1995 “Për kontrollin e figurës së zyrtareve dhe personave të tjerë që lidhen me mbrojtjen e shtetit demokratik”.

Neni 28/Verifikimi i figurës së zyrtareve në detyrë

Autoriteti, sipas radhës së përparësisë së përcaktuar në Nenin 3 të këtij ligji, brenda 6 muajsh, përfundon, verifikimin e figurës së çdo funksionari.

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Barcelona arrin marrëveshjen me Olmon, i bën ofertën e tretë Leipzigut