Projektligji për energjinë elektrike ka vendosur edhe njëherë mazhorancën aktuale dhe ish-qeverinë Berisha përballë akuzave dhe kundërakuzave për mënyrën e menaxhimit të këtij sektori, gjatë diskutimeve në seancën parlamentare të kësaj të enjteje.
Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur të flasë me gjuhën e shifrave, e vetmja mënyrë siç tha ai, për tu kuptuar me opozitën. Shefi i mazhorancës e nisi fjalën e tij me situatën e rënduar që ish-qeveria e djathtë e la sektorin e energjisë, duke evidentuar borxhet e KESH-it, OST-së dhe ish- CEZ-it (tashmë OSHEE). I gjithë ky kolaps në sektorin energjetik sipas Ramës, u krijua ngaqë ish-mazhoranca e udhëhequr nga Sali Berisha zgjodhi sipas ti, t’i lë rrugë të hapur shkeljes së ligjit për të garantuar qëndrimin sa më gjatë në pushtet.
“Shkelja e ligjit ishin zgjedhje e qartë politike për të mbajtur pushtetin me çdo kusht duke e bërë shtetin copë copë”, u shpreh Rama.
Pjesa e dytë e të gjithë fjalës së kryeministrit, u fokusua në punën e qeverisë dhe shndërrimin e këtij sektori. “Shtuam me 40 mln dollarë financimet në gjenerim dhe kaluam në një fazë të re menaxhimi të kaskadës nëpërmjet kontrollit që i jep und ndërhyrjeve politike: lëre të mbushet se do ta shesim, e kur mbushej plot përmbytej gjithë shkodran dhe i thanë ka rënë shiu më i madh i 100 vjetëve të fundit”, u shpreh kreu i qeverisë nga foltorja e Kuvendit.