TIRANE- 1620 ushtarak që marrin pension të parakohshëm do të rikthehen sërish në shërbimin ushtarak në gradën me të cilën kanë dalë në reformë. Gjatë diskutimit të draftit “Për karrierën ushtarake të Forcave të Armatosura”, përfaqësuesit e Ministrisë së Mbrojtjes theksuan se nuk do të ketë më pensione të parakohshëm për ushtarakët që kanë dalë në reformë pasi ligji i ri i gradave e parandalon këtë.

Drafti
Në bazë të draftit të hartuar nga Ministria e Mbrojtjes përcaktohen afatet e mbajtjes së një grade në kalimin e një grade madhore, si edhe moshën se deri ku mund të mbahet ajo. Debati në Komision lindi pas pyetjeve të shumta që deputeti i LSI-së, Luan Rama i bëri përfaqësuesve të ministrisë, ku më pas doli se nëpërmjet këtij drafti nuk do të ketë më pensione të parakohshme. Sipas draftit, ushtarakët që kanë dalë në reformë, do të rikthehen sërish në gradën që kanë pasur duke ushtruar funksionet e tij në mënyrë normale, kësisoj ata do të marrin rrogën normale sipas gradës që kanë.

Kjo do të thotë se këto ushtarak që do të marrin një rrogë të plotë sipas funksionit që kanë dhe jo më pension të parakohshëm, por nëse ata nuk do të bëjnë një punë të mirë, atëherë ata do të përjashtohen nga sistemi dhe do të marrin pensionin e plotë kur të mbushin moshën. Veç kësaj, për të mbajtur gradën ose për të kaluar në një sistem më të lartë, ushtarakët do t’i nënshtrohen një kontrolli për performancën e tyre. Në bazë të draftit, nëse në dy vite radhazi ushtaraku nuk merr performancë pozitive, ai del nga sistemi ushtarak dhe do të presë plotësimin e moshës që të marri pensionin e plotë.

Debati
Pavarësisht se opozita mbajti një qëndrim disi pasiv në mbledhje, deputeti i LSI-së, Luan Rama kërkoi më shumë llogari nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes për draftin duke shprehur rezerva. Sipas tij, Ministria duhet ë paraqes referencat ligjore si edhe koston që ka drafti. Por këto pyetje e gjetën të pa përgatitur përfaqësuesit e Ministrisë dhe theksuan se përgjigjet e tyre do t’i japin pasi të depozitohet një kërkesë me shkrim. Pas kësaj lindi edhe debati për marrjen e gradave ku sipas tij, qeveria duhet të jepte një sqarim më të detajuar. Në këtë moment, koloneli Fadil Grosha theksoi se nga ky ligj përjashtohen 1620 ushtarak që marrin pension të parakohshëm, duke u rikthyer në detyrë.

“Në të gjithë frymën e këtij ligji, ka si pikë referimi është që të ulet kostoja për buxhetin e mbrojtjes dhe të buxhetit të shtetit në tërësi për ushtarakët që dalin nga FA. Një kapiten për 18 vjet del në pension të parakohshëm. Ky ligj përfshinë 1620 ushtarak të cilët do të dalin nga skema e pensionit të parakohshëm. Këta nuk do të paguhen më duke qëndruar tek shtëpia, por duke ushtruar shërbimin në bazë të gradës që kanë”,- tha kolonel Fadil Grosha. Krahas kolonelit, edhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Jeronim Bazo shpjegoi edhe mënyrën se si do të bëhet edhe vlerësimi i performancës.

“Shqetësimin që ngre zoti Rama është i drejtë. Më lejoni që të sqaroj këtë problem. Për hir të drejt ju keni kapur rastin më ekstrem, kemi mekanizmin shtyrës që thotë se një vlerësim i pakënaqshëm për 2 vite rresht e largon nga piramida e gradave. Dy vlerësime pune në nivelin e pakënaqshëm përbën elementin për ta larguar përpara nga puna. Po patjetër që ka subjektivizëm, përderisa kemi një komandat toge ai jep vlerësimet”,- tha Bazo.


Shkrimi u përditësua në 28 maj 2014
(d.a/shqiptarja.com)