SHBA - Sulmuesi i kombëtares së Irakut, Aymen Hussein, u ndalua dhe u mor në pyetje për gati shtatë orë në aeroportin 'O'Hare' në Çikago pasi mbërriti me ekipin në orët e para të së shtunës, sipas medieve ndërkombëtare.

Hussein më në fund u lejua të hynte në vend, por fotografit të ekipit iu ndalua hyrja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, tha një zyrtar, i cili punon për Komitetin Olimpik të Irakut dhe ka kontakte të afërta me kombëtaren.

Nuk pati asnjë koment të menjëhershëm nga Federata e Irakut apo nga vetë Hussein, një figurë kyçe e ekipit që shënoi golin që siguroi kualifikimin e Irakut për fazën finale të Kupës së Botës 2026.

Tifozët dolën në aeroport në orët e para të mëngjesit për të pritur ekipin irakian, duke valëvitur flamuj dhe duke kërkuar fotografi me lojtarët, pak ditë para fillimit të turneut, siç treguan videot e publikuara në rrjetet sociale.

Sipas zyrtarit irakian, telefoni i Hussein u kontrollua pas mbërritjes së tij.

“Fotografi i kombëtares, Talal Salah, u mbajt për më shumë se 10 orë, iu nënshtrua kontrolleve të ngjashme të telefonit dhe në fund iu refuzua hyrja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, shtoi ai.

Iraku është rikthyer në Kupën e Botës për herë të parë që nga debutimi i tij 40 vjet më parë. Ata do të përballen me Francën, Senegalin dhe Norvegjinë në Grupin I. Turneu, i cili bashkorganizohet nga SHBA-të, Kanadaja dhe Meksika, fillon të enjten dhe zgjat deri më 19 korrik.