ITALI - Serie A e futbollit në Itali vijon këtë të dielë me sfidat e raundit të 35-të. Tre javë nga fundi i kampionatit, Sassuolo dhuroi befasinë duke mposhtur në shtëpi 2-0 Milanin. Kuqezinjtë për 65 minuta luajtën me një lojtar më pak pas daljes me dy kartona të verdhë të Fikayo Tomorit. Interit që pret Parmën sot në mbrëmje në 'San Siro' i nevojitet vetëm një pikë për të zyrtarizuar titullin e 21-të kampion në Itali.
NDESHJA - Sfida në Reggio Emilia nisi më mirë për Sassuolon që gjeti golin e avantazhit pas vetëm pesë minutave lojë me Berardin. Veterani mori një pasim nga Lauriente dhe me të majtën nga brenda zone ia ndali sferën në rrjetë portierit Maignan.
Në minutën e 9-të dhe 24-t Tomori u ndëshkua me dy kartona të verdhë duke lënë Milanin me dhjetë vetë në fushë për më shumë se 65 minuta. Nisja e fraksionit të dytë 'vulosi' tri pikët për Sassuolon, pasi këtë herë Armand Lauriente shënoi vetë golin e dytë.
Me 67 pikë Milani mbetet për momentin në vendin e tretë, ndërsa Juventusi kërcënon nga pas. Sassuolo me 49 pikë ngjitet në vendin e nëntë, me pikë të barabarta me Bolognan.
Komente








