Rrjeti shumë i klasifikuar që Agjencia e Sigurisë Kombëtare (NSA) përdor për komunikimet e saj të brendshme është jashtë funksionit, sipas gjashtë burimeve për CNN.
Rrjeti, i quajtur NSA Net, u mundëson punonjësve të komunikojnë brenda institucionit informacione të klasifikuara. Deri në këtë moment, nuk ka asnjë provë që të tregojë se bëhet fjalë për një sulm kibernetik, thanë burimet.
Ndërsa agjencia po përpiqet të kuptojë përmasat e problemit, ajo ka vendosur që personeli të paraqitet në punë me orare të ndryshme dhe të shkallëzuara, thanë burimet.
Një zyrtar aktual dhe një ish-zyrtar amerikan thanë se ndërprerja e funksionimit të rrjetit NSA Net nuk do të ndikonte në aftësinë e agjencisë për t'i komunikuar informacione urgjente të inteligjencës Presidentit Donald Trump, ndërsa ai udhëton në Azi me avionin presidencial Air Force One.
Të dy burimet përshkruan ekzistencën e disa sistemeve rezervë dhe rrjeteve alternative, të cilat qeveria mund t'i përdorë për të komunikuar në mënyrë të sigurt me presidentin, i cili aktualisht ndodhet në Filipine, përpara se të niset nesër drejt Kinës për bisedime me liderin kinez Xi Jinping dhe presidentin rus Vladimir Putin.
Ndërprerja e funksionimit në agjencinë më të fuqishme të inteligjencës në Amerikë vjen pas disa problemeve të mëdha teknologjike që kanë prekur linjat ajrore dhe korporata të tjera në të gjithë vendin.
Të gjitha fluturimet në mbarë vendin u pezulluan për disa orë të premten, pas një dështimi masiv të sistemeve, duke shkaktuar vonesa ose anulime të mijëra fluturimeve. Administrata Federale e Aviacionit (FAA) e gjurmoi problemin deri te një ruter i vetëm në Arkansas.
Ndërkohë, një ndërprerje masive e shërbimeve javën e kaluar, që preku produktet e Microsoft, bëri që njerëzit në mbarë botën të mos kishin mundësi të aksesonin postën elektronike Outlook dhe takimet në Microsoft Teams.
Nuk ka asnjë tregues se ndërprerjet e shërbimeve të NSA-së, FAA-së apo Microsoft-it janë shkaktuar nga një sulm kibernetik. Megjithatë, ato janë shembuj të qartë se si problemet teknologjike mund të shkaktojnë trazira në tregje dhe të kërcënojnë sigurinë kombëtare.
Prej javësh, në rrjetet sociale qarkullojnë teori konspirative se do të ketë ndërprerje masive të energjisë elektrike, internetit dhe shërbimeve bankare më 17 nëntor dhe do të zgjasë deri në 72 orë. Mediat ndërkombëtare dhe dokumentet zyrtare e kanë cilësuar si alarm të rremë.
Lajm në përditësim...









Komente
Komento