Në një shënim të sajin, ajo shprehet se kjo është shpresë për bërjen e këtij vendi të jetueshëm.
Ajo po ashtu, shpreh vërejtje për sjelljen e opozitës, e cila sipas saj fshihet pas korrektimeve.
Reagimi i plotë në Facebook:
Votimi në parim i draftit të ndryshimeve kushtetuese të paraqitur nga ekspertët e EURALIUS e OPDAT në Komisionin e Posaçëm për Reformën në Drejtësi ishte lajmi më i mirë që qytetarët e këtij vendi, sidomos të rinjtë, morën në “Ditën e Europës”. Si anëtare e Komisionit të Integrimit në Kuvend, kam ndjekur me kujdes çdo vendimarrje të Komisionit për Reformën, por veçanërisht edhe çdo rekomandim dhe mbështetje të dhënë nga ambasadorët e SHBA e BE, Donald Lu dhe Romana Vlahutin.
Nuk ka të dhënë më kuptimplotë për një vend si Shqipëria, sesa të dhënat që dalin nga sondazhet e kryera për mbështetjen e qytetarëve për anëtarësimin e vendit në BE. Nuk ka të dhëna më kuptimplota për një vend që është në prag të një miratimit të një reforme historike kur 91% e shqiptarëve e mbështesin reformimin e drejtësisë. Kalimi në parim me vota unanime i draftit të ekspertëve ndërkombëtare për Reformën në Drejtësi është një detyrim që e gjithë klasa politike e këtij vendi ka ndaj gjeneratës së re.
Askush nuk ka të drejtë t’i rrëmbejë kësaj gjenerate të drejtën për të patur institucione demokratike dhe të pavarura. Për Partinë Socialiste miratimi i Reformës në Drejtësi është shumë më tepër se një obligim programor i zgjedhjeve të 2013. Është një shërbesë, një detyrim që i ka gjeneratës së re që kërkon me çdo kusht institucione të reja demokratike.
Është një gur themeli për të rinjtë që do të përzgjidhen nga “FRESSH VOICE” se forca që kanë zgjedhur të investojnë energjitë dhe bindjet e tyre është e aftë t’i jap institucione demokratike të cilat do të drejtohen prej tyre. Kemi detyrimin t’i kthejmë shpresën çdo të riu që ka humbur besimin tek politika. Kemi detyrimin të kthejmë besimin në institucionet e dretjësisë. Kemi detyrimin t’i japim fund rropatjeve dhe maratonave të seancave gjyqësore. Kemi detyrimin ta bëjmë këtë vend të jetueshëm.
Opozita mesa duket, pavarësisht votës së sotme në komision duket se ka zgjedhur një rrugëtim ndryshe nga ai i kësaj maxhorance. Opozita ka zgjedhur të fshihet pas draftesh, korigjimesh, korrektimesh, sygjerimesh të cilat mbajnë larg rezultatin konkret të një reforme që do t’i sillte vendit më së paku çeljen e negociatave për në Bashkimin Europian. Por mbi të gjitha do të rikthente shpresën se në këtë vend mund të ketë drejtësi reale.
Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)