TIRANË- Dhjetëra gra e aktiviste u mblodhën sot para Ambasadës së Prishtinës në Tiranë, në protestë kundër dhunës ndaj grave, pas vrasjes së Liridona Murselit në Kosovë. Protestës iu bashkua edhe ambasadori i Prishtinës në Tiranë Skënder Durmishi, ndërsa bënë thirrje për ndaljen e dhunës dhe drejtësi për Liridonën.

Ambasadori Durmishi tha se vrasja ka shokuar Kosovën dhe se drejtësia duhet të thotë fjalën e vet për një krim kaq monstruoz.

“Unë dola t’iu takoj para derës së ambasadës. Është një iniciativë njerëzore dhe të falënderoj për ndjesinë që tregoni për një rast që ka tronditur Kosovën që është e shtanguar dhe në shok të vërtetë. Protesta juaj është për t’u përkrahur dhe thirrjet tuaja për drejtësi për Liridonën dhe për çdo grua. Drejtësia të thotë fjalën e vet për një krim kaq monstruoz siç ndodhi me Liridonën”, tha ai.

“Ndal femicidit”, “Denonco dhunën”, “Drejtësi për Liridonën’, ishin disa nga pankartat që të rinjtë mbanin në duar, bashkë me foton e Liridona Murselit, vrasja e së cilës u porosit nga bashkëshorti i saj për 30 mijë euro. 

“Gjyqtarët në gjykatën e Prishtinës e dëgjojnë dhunuesin duke thënë unë e kam rreh dhe e rrehi prap, edhe nuk u intereson, shtyjnë seanca. Mund të gjej justifikime sa duash për të mos bërë burgun dhe në këtë formë dhunuesi qëndron i lirë dhe është i aftë të krye krimin. U bëj thirrje avokatëve dhe juristëve mos u joshni nga paratë e burrave milionerë që qëndrojnë në krah të politikës, biznesmenëve, e atyre që kanë në dorë sistemin e drejtësisë. Ata nuk e dinë se sa herë na vijnë te zyra juridike dhe kërcënohemi nga burrat që janë në zgjidhje martese, hiq dorë nga ky proces. Drejtësi për Liridonën”, tha një prej aktivisteve.

Protestuesit marshuan nga Ministria e Brendshme drejt ambasadës së Kosovës në Tiranë. Në fund të protestës, ata ndezën qirinj në nder të 30-vjeçares së vrarë.

Vrasja e Liridonës ka marrë vëmendje të madhe, pasi fillimisht ajo ishte raportuar nga Policia e Kosovës si “grabitje me pasoja të vrasjes”.  Ngjarja e rëndë u shënua më 29 nëntor 2023 në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë të Kosovës. Atë natë Murseli kishte rrëfyer në polici se kishin rënë pre e një grabitjeje teksa kishte qenë në makinë me Liridonën dhe fëmijët, por hetimet dhe provat çuan në një pistë tjetër. Dhe më 1 dhjetor, pak orë pas ceremonisë mortore të Liridona Murselit, u njoftua arrestimi i Naimit. Në mediat kosovare, shkruhet se ish-këshilltari i Behgjet Pacollit ka pranuar para hetuesve se e ka porositur vrasjen e gruas te i dyshuari Granit Plava. Edhe ky i fundit ka pranuar se për të kryer vrasjen Murseli i ka premtuar 30 mijë euro në këmbim të vrasjes së gruas së tij.