TIRANË- Drejtësia e re merr pushimet verore, ndërsa stoku i dosjeve vazhdon të rritet dhe qytetarët mbeten në pritje të drejtësisë. Mbledhjet e fundit për Këshillin e Lartë Gjyqësor i cili do duhej të kishte përzgjedhur kohë më parë gjyqtarët e lartë u mbajt përgjatë javës që lamë pas, ndërsa pritet që ata t'i rikthehen normalitet në vjeshtë përgjatë muajit shtator.

E njëjta situatë edhe me KLP e cila në mbledhjen e saj të fundit në korrik emëroi kreun e byrosë kombëtare të hetimit, Aida Hajnaj. I vetmi institucion që ka zgjedhur të punojë edhe javën e parë të gushtit është shkalla e parë e Vettingut e cila deri më 6 gusht ka planifikuar seanca, ndërsa KPA Kolegji i Posaçëm i Apelimit jo.

Pas më shumë se dy muaj kur gjykatat e vendit qëndruan në karantinë për gjykimet normale, përjashto masat e sigurisë, 1 gushti ato i ka gjetur sërish të mbyllura. Report Tv ka mësuar se nga Gjykata e Posaçme kundër Krimit e Korrupsionit e deri tek gjykata e Sarandës apo Tropojës gjyqtarët kanë marrë lejen dhe do të rikthehen në muajin shtator.

Të vetmet funksione që do të kryhen janë masat e sigurisë dhe kërkesat me afat sipas kodit të procedurës me sistemin e rotacionit me gjyqtarë të gatshëm me nga një javë.

E njëjta situatë paraqitet edhe me prokurorinë e posaçme SPAK e cila sezonin e saj të parë e mbylli me dosjen 339 dhe arrestimet në fshatin Rubjek.

Kjo prokurori do t'i ketë dyert e hapura vetëm me prokuror të gatshëm për afate e kërkesa penale ndërsa për çdo denoncim qytetarët do duhet ta dërgojnë me postë për efekt të kushteve të pandemisë.

Përgjatë 2020 u prit shumë që në funksionim normal të futen Gjykata e Lartë dhe Kushtetuese, por as kjo pritshmëri nuk u arrit duke bërë që 2021 të jetë sërish një vit shprese se postulate drejtësi e vonuar është drejtësi e mohuar s'do të gjej vend për shqiptarët.