Kryeministri Edi Rama komentoi edhe drejtësinë e re teksa tha se është PS ajo që e bëri të mundur këtë gjë. Në bisedimin me qytetarët në njësinë 3 në Tiranë, kryeministri theksoi se nuk është SPAK që po lufton korrupsionin por vullneti i partisë që ai drejton, që po e mbron edhe me koston në lëkurën e vet, duke iu referuar mbajtjes në paraburgim prej shkurtit pa gjyq të kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

“Është hera e parë nga 1912, që në Shqipëri luftohet pa parë majtas e djathtas, pavarësisht të gjitha problematikave e historive që janë të lidhura me një sistem drejtësie të ri që ka shumë probleme, pavarësi shumë e re. Të flasësh sot për drejtësinë e pavarur është si të flasësh për Shqipërinë e pavarur 60-70 vjet pasi u pavarësua. Por ama nuk është luftuar kurrë korrupsioni si sot. Nuk e lufton SPAK, por vullneti i kësaj force politike që i dha pavarësinë e drejtësisë dhe që e mbron edhe me koston e paguar në lëkurën e vet. Çfarë është mbajtja e kryetarit të bashkisë atje brenda pa gjyq, është kosto. Nuk hyj fdare unë të drejta apo jo ato që thuhen, ai është procesi ligjor, gjyqësor dhe e bën gjyqi. Por deri më sot gjyq nuk ka, ka një njeri në burg, është kosto. Ama ne as nuk bëjmë protesta, as nuk ngremë zërin jo se jemi budallenj, por sepse është mendje e ndarë. Çdo ngacmim që i bëjmë SPAK apo sistemit që lufton me korrupsionin, është ngacmim që i bën dëm vendit për të nesërmen. Nëse u deshën 100 e ca vjet që të fillonte kjo luftë, nëse fillojmë e ngacmojmë do ta shtyjmë edhe 20 vjet të tjera dhe ta harrojmë që të ulemi në tryezën e BE. Për vite e kishim damkën në ballë, ishim ne në qeveri, të shkruar në raportet e BE, kultura e pandëshmueshmërisë. “, u shpreh Rama.

Më tej, Rama tha se nata ka kaluar në Shqipëri dhe prandaj qytetarët mbështesin PS dhe jo “lloj lloj karagjiozësh rrugëve”.

“Njerëzit edhe kur nuk meren gjithë ditën siç merremi ne me këtë punë kanë mjaftueshëm logjikë për të parë dritën dhe errësirën, të mirën e të keqen dhe pavarësisht se ne nuk jemi sot në diell të plotë si vend, por nuk diskutohet që nata në Shqipëri ka kaluar. Dielli ka lindur dhe nuk diskutohet që ai diell do të ngrojë edhe më shumë. Këtë njerëzit e kuptojnë këtë dhe prandaj mbështesin PS dhe jo lloj lloj karagjozësh rrugëve.”, shtoi Rama.


Lajmi kryesor:

Rama: Kushtetuesja të kthejë Veliajn në zyrë, Tirana s’drejtohet me delegim! Bufi u arratis nga zgjedhjet, Manastirliu do vijojë të jetë kandidatja jonë