"Drejtësia", Gjykata Speciale
 nuk heton ministrat e Berishës

 nuk heton ministrat e Berishës">
Djalli fshihet në detaje. Finalizimi i reformës në drejtësi po përfundon në një padrejtësi historike për shqiptarët. Gjykatat speciale anti-korrupsion ndalohen të gjykojnë ish-ministrat, të cilët ishin në detyrë deri në shator të 2013.

Kështu, beteja epike dyvjeçare për reformën në drejtësi po shndërrohet një amnisti të madhe për ish-ministrat e Sali Berishës, karriera politike e disa prej të cilëve është shënjuar nga një sagë abuzimesh dhe implikimesh, të shtrira në një hark kohor prej dy dekadash.



Pas draftit të ndërkombëtarëve, për reformën në drejtësi, fshihet amnistia e ligjëruar me Kushtetutë, për të gjithë ish-ministrat, të përfshirë në praktika korruptive apo edhe në ngjarje kriminale, siç është 21 Janari dhe Gërdeci. Drafti i ndërkombëtarëve blindon më tej kështjellën e pandëshkueshmërisë në Shqipëri, duke iu kundërvënë kësisoj vullnetit të 1 milion shqiptarëve, të cilët tre vjet më parë, votuan për rivendosjen e drejtësisë në Shqipëri, duke nisur pikërisht më ndëshkimin e korrupsionit dhe krimit elitar.

Mbyllen 21 Janari, Gërdeci dhe Durrës-Kukës  
Reforma e famshme në drejtësi, sipas draftit të fundit, mbyll Gërdecin, 21 Janarin, vjedhjen e 230 milionë eurove me Rrugën Durrës-Kukës dhe shitjen e 350 km 2 det Greqisë etj.

Në tre dosjet e fundit, Lulzim Basha, sot kryetar i opozitës, është protagonist kryesor. Dosjet e vjedhjes me Rrugën Durrës-Kukës dhe shitja e detit nuk janë certifikuar nga gjykata, ndërsa për 21 Janarin nuk janë hetuar orkestruesit.

Ndërsa për Gërdecin, ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, nuk është gjykuar asnjëherë. Si Basha, ashtu edhe Mediu, kanë shpëtuar me procedurë dhe imunitet. Dosjet e tyre mund të hapen në çdo moment.

Ndërkaq, drafti i ndërkombëtarëve, për të cilin Partia Demokratike ka kërkuar një javë kohë për t’u menduar, mbyll gjithashtu edhe privatizimet korruptive, fshehjen e borxheve, koncesionet abuzive të Sali Berishës, tjetërsimin e pronave, dosjet e pasurive etj. Kemi të bëjmë me një paradoks, padrejtësi dhe fyerje kombëtare. Parashikohet hetimin dhe ndëshkimin e ish-ministrave, të përfshirë në praktika korruptive, vetëm gjatë 3 viteve të fundit.

Si amnistohen ministrat?
Në nenin 25 të draftit të ndërkombëtarëve, për të cilin u tha se ka shqetësuar dhe se rrezikon Sali Berishën, fshihet amnistia për ish-ministrat e Berishës. Ky nen është një kompromis dhe lëshim i madh për Partinë Demokratike.

Neni 25 parashikon ngritjen e gjykatave speciale për veprat penale të konsumuara nga funksionarët e lartë. Gjykatat speciale mund të dënojnë kryeministrin, ish-kryeministrin, presidentin dhe ish-presidentin, por jo ministrat të cilët kanë qenë në detyre deri në zgjedhjet e 2013. Konkretisht, neni 25 parashikon që gjykatat speciale do të hetojnë Presidentin në detyrë dhe ish Presidentët e Republikës, Kryetarin në detyrë dhe ish Kryetarët e Kuvendit, Kryeministrin në detyrë dhe ish Kryeministrat, anëtarët e Këshillit të Ministrave në detyrë dhe anëtarët e Këshillit të Ministrave gjatë tre viteve të fundit. Është pikërisht togfjalëshi “gjatë tre viteve të fundit”, që përjashton ish-ministrat e Sali Berishës, që të jenë objekt i prokurorisë së posaçme dhe gjykatave speciale.

Kush vendosi për ndryshimin?
Falja e ish-ministrave të Berishës ka kompromentuar rëndë reformën në drejtësi. Kjo amnisti, kundër vullnetit të shumicës së shqiptarëve, ka ngritur një pikëpyetje të madhe mbi reformën.

Po kush fshihet pas nenit 25 të draftit të ndërkombëtarëve? Kush janë protagonistët e këtij kompromisi të madh? Autorësinë e draftit e kanë marrë SHBA-BE, ndaj variantet e mundshme janë tre. Partia Demokratike, me anë të presioneve dhe lutjeve, u ka kërkuar ndërkombëtarëve një amnisti për njerëzit e saj, të cilët do të ishin objekt i gjykatave speciale.

Dhe një kërkesë e tillë, pas dy vjet alibish dhe spërdredhjesh të opozitës, është pranuar nga SHBA-BE. Së dyti, neni 25, mund të jetë një kompromis i heshtur mes opozitës dhe mazhorancës shqiptare. Jo rastësisht, neni 25 doli në skenë pas tre kërcënimeve të Sali Berishës me grusht shteti dhe me rrëmbim armësh. Por, vlen të kujtojmë edhe një fakt se në dy prej skandaleve kryesore të Sali Berishës, Gërdecit dhe Rrugës Durrës-Kukës, janë përfshirë kompani amerikane. 


Redaksia online
A.N shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ervin Salianji dënohet me 1 vit burg për kallëzim të rremë, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kthjellime dhe vranësira, si parashikohet moti për sot

Kthjellime dhe vranësira, si parashikohet moti për sot