Burime brenda komisionit bëjnë me dije se ai ka tërhequr fomulimin për nenin për martesat GAY apo siç njihen ndryshe, martesat brenda të njëjtit seks.
Xhafaj: Strukturuam draftin, shkon në seancë për miratim
Kryetari i komisionit të posaçëm parlamentar të reformës në drejtësi, Fatmir Xhafaj u shpreh mbledhja e sotme e këtij komisioni shërbeu për të strukturuar draftin i cili shkon për miratim të enjten në Kuvend.
Xhafaj tha se paketa kushtetuese ka pësuar edhe disa ndryshime, ku janë hequr disa nene.
"Mbledhja e sotme ishte procedurale për të përgatitur raportin që do t'i përcillet seancës. Për t'i hapur rrugë shqyrtimit të rendit të ditës. Kemi shqyrtuar edhe disa ndryshime që janë pjesë e projektit, duke hequr një pjesë të neneve që nga grupet parlamentare, janë konsideruar si dispozita që janë jo të lidhura drejtpërsëdrejti për detyrën dhe mandatin e komisionit të posaccëm parlamentar. Janë nene që kanë të bëjnë me BE dhe dispozita të tjera. Kemi reflektuar edhe progresin e deritanishëm, formulën hibride, në mënyrë që kjo pjesë të jetë e përgatitur për shqyrtim dhe votim në seancë plenare", u shpreh Xhafaj.
Ai theksoi gjithashtu në këtë mbledhjen të fundit të komisionit, është diskutuar edhe për përbërjen e komisioneve të vettingut, rolin e ONM, përbërjen e KLGJ dhe KLP.
"Diskutuam për formulën që do të përbëjnë komisionet e vettingut, rolin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM) dhe nenet që kanë të bëjnë me KLGJ dhe KLP. Shpresojmë se do të gjendet një gjuhë e përbashkët në këtë proces negociimi. Kjo është mbledhja e fundit, do të dëshironim, por s'besoj të jetë e fundit", tha Xhafaj duke lënë të kuptohet se vijimi i negociatave mes palëve mund të sjellë ndryshime në draft.
“Drejtësia”, Vasili: Jemi më pranë se kurrë zgjidhjes konsensuale
Kryetari i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim teksa ka dalë nga mbledhja e komisionit të Posaçëm të Reformës në Drejtësi, ka thënë se palët politike në vend janë më pranë se kurrë konsensusit për miratimin e Reformës në Drejtësi.
Ai ka shtuar se ky është një mesazh jo vetëm për politikën shqiptare, por edhe për qytetarët, pasi ky konsensus që po arrihet tregon se partitë dinë të dalin mbi interesat e tyre për atë që është më e mira për qytetarët.
"Jemi afër zgjidhjes, më pranë se kurrë Ky është një moment edhe politik për të rikonfirmuar qëndrimet tona dhe në këtë ju rikonfirmoj atë që ka bërë të qartë që LSI do votojë pro draftit të ndryshimeve kushtetuese që janë miratuar nga kom i posaçëm dhe në këtë moment të veçantë vë në dukje një progres të rëndësishëm drejt konsensusit. Në funksion të këtij angazhimi, ka pasur sot një komunikim të Metës me Johannes Hahn ku u bashkënda përpjekja për konsensus që është shumë i rëndësishëm për jetëgjatësinë e reformës të projektuar për 10 vite qe garanton stabilitetin e vendit dhe për stabilitetin e rajonit. Të gjithë e dinë rolin e Shqipërisë në Rajon. Orët që vijnë po formësojnë Reformën në Drejtësi, po shkojmë në një rrugë pozitive drejt konsensualitetit që realizon reformën. Pas miratimit konsensual i japim një shembull të ri dhe mesazhin shqiptarëve që politika shqiptare di të dalë mbi interesat vetjake dhe të shohë interesin e qytetarëve", tha Vasili.
Mesila Doda: Lajm i mirë heqja e nenit për martesat gay
Lidhur me këtë vendim të komisionit të reformës, ka reaguar deputetja e PDIU, Mesila Doda e cila e quajti lajm të mirë heqjen e nenit për martesat gay nga drafti i reformës në drejtësi.
"Me kërkesën e PDIU dhe këmbënguljen tone pa kompromis, sot u shfuqizua nga Komisioni i Posaçëm i Reformës ndryshimi Kushtetues që i hapte rrugën legalizimit të martesave gay. Kjo do të thotë se së bashku arritëm të ndalonim një ndryshim që mund të sillte një strukturë tjetër sociale, larg modelit të familjes natyrale e tradicionale. Falenderoj me kete rast gjithë kolegët tanë deputetë që u bashkuan në kauzën Pro Familjes Natyrale, krerët e religjioneve dhe besimtaret, familjaret, të rinjtë e të rejat që konsiderojnë modelin tonë familjar atë burrë-grua dhe që përkrahën këtë vizion të shëndetshëm të shoqërisë sonë", shkruan në Facebook, Mesila Doda.
Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)