Komisioneri Hahn shprehu përgëzimet për arritjen e konsensusit dhe miratimin me unanimitet të reformës në drejtësi dhe shprehu bindjen se tashmë Shqipëria ka hyrë në një fazë të re dhe në një rrugë më të qëndrueshme drejt BE-së.
Meta vlerësoi komisionerin për ndërhyrjen për përmbylljen me konsensus të plotë dhe me sukses të Reformës në Drejtësi.
Kryetari i Kuvendit theksoi se konsensusi i arritur nuk duhet të jetë momental, por të shërbejë si shembull për forcimin e dialogut politik dhe thellimin e të gjitha reformave në të gjitha fushat, ndërsa garantoi Hahn se do të vazhdojë përpjekjet e tij të vendosura për fillimin e zbatimit sa më parë të reformës në drejtësi.
“Pas miratimit të saj me konsensus, implementimi i saj është më i sigurt, por edhe ecuria e mëtejshme e integrimit evropian është më e sigurt dhe më e qartë”, theksoi Meta.
Reforma në Drejtësi u miratua në 22 Korrik me 140 vota pro, ndërsa Komisioneri i BE për Politikat e Fqinjësisë Hahn ishte ndër aktorët kryesorë që ndërmjetësoi konsensusin së bashku me ambasadorët e SHBA dhe BE në Tiranë.
d.b/shqiptarja.com