Partia Socialiste është treguar diskrete për ofertën që i ka bërë opozitës, lidhur me negociatat për reformën në drejtësi. Fatmir Xhafaj pranoi pak ditë më parë se i ka dërguar opozitës dy propozime, por nuk preferoi t’i bënte ato publike, pasi tha se gjithçka po negociohet ende.

Por burime për Shqiptarja.com bëjnë me dije se oferta e socialistëve ka qenë ajo përdorimit të modelit të votave të transferueshme për emërimet në gjyqësor. Mësohet se kjo ofertë kompromisi propozohet nga mazhoranca si formulë konsensusi të paktën për emërimet e anëtarëve jo gjyqtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe anëtarëve jo prokurorë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.