Drejtësia, SHBA: Faji është i PD
Lu: Opozita s'tregoi fleksibilitet

Drejtësia, SHBA: Faji është i PD<br />Lu: Opozita s'tregoi fleksibilitet
Ndërkombëtarët i japin bekimin qeverisë shqiptare të vazhdojë e vetme reformën në drejtësi. Në 2 deklarata për mediat Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ajo e BE-së shprehin zhgënjimin për dështimin e takimit mes Lulzim Bashës dhe Edi Ramës për të arritur një konsensus për këtë reformë.
 
SHBA është e prerë dhe qartë kur fajëson për këtë dështim pikërisht liderin e opozitës, por të dy ambasadat i bëjnë apel ndërgjegjes së çdo deputeti nëse do të mbajë përgjegjësinë e dështimit të kësaj reforme. “Qeveria shfaqi fleksibilitet, por, në fund, opozita nuk bëri të njëjtën gjë. Do të jetë përgjegjësia e anëtarëve individualë të parlamentit të vendosin nëse duan të mbajnë sistemin e sotëm të drejtësisë të korruptuar dhe të politizuar apo nëse do ta mbështesin këtë reformë”- thuhet në deklaratën e ambasadës amerikane. “Ne e mbështesim fort vazhdimin e procesit demokratik për të siguruar miratimin e propozimit aktual legjislativ, i cili përputhet plotësisht me standardet evropiane dhe angazhimet e Shqipërisë ndaj BE-së. Ne e nxisim Shqipërinë të ndërmarrë hapat e nevojshme për miratimin e paketës ligjore për reformën në drejtësi”, thuhet në deklaratë e Ambasadës së BE.
 
Në deklaratën e Shteteve të Bashkuara nënvizohen përpjekjet 18 mujore të ekspertëve amerikanë krahas atyre vendas e të huaj për të arritur në një draft konsensual, pasi reforma mbetet prioritet kyç për amerikanët.
 
Shtetet e Bashkuara do të punojnë për t’u siguruar që drafti përfundimtar i paraqitur në Komisionin e Posaçëm për Reformën në Drejtësi dhe në Parlament, të jetë një draft i drejtë, që përfaqëson idetë më të mira të ekspertëve vendas, ekspertëve ndërkombëtarë, dhe Komisionit të Venecias”, vijon deklarata e amerikanëve.

Deklarata e delegacionit të BE:
"Ne e mbështesim fort vazhdimin e procesit demokratik për të siguruar miratimin e propozimit aktual legjislativ, i cili përputhet plotësisht me standardet evropiane dhe angazhimet e Shqipërisë ndaj BE-së. Të gjithë anëtarët e Kuvendit mbajnë përgjegjësi të veçantë para shumicës dërrmuese të qytetarëve shqiptarë që kërkojnë një gjyqësor të pavarur, profesional, të paanshëm dhe efektiv. Ne e nxisim Shqipërinë të ndërmarrë hapat e nevojshme për miratimin e paketës ligjore për reformën në drejtësi".
ambasada e BE

(Deklarata e Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë)

Deklarata e plotë e Ambasadës së SHBA:
"Ambasada e Shteteve të Bashkuara shpreh zhgënjimin e saj që takimi i 6 qershorit mes Kryeministrit Rama dhe Liderit të Opozitës Basha nuk arriti një vendim përfundimtar mbi reformën në drejtësi. Qeveria shfaqi fleksibilitet, por, në fund, opozita nuk bëri të njëjtën gjë. Prandaj, Qeveria e Shteteve të Bashkuara mbështet përpjekjet e Qeverisë shqiptare për ta çuar draftin drejt miratimit. Do të jetë përgjegjësia e anëtarëve individualë të parlamentit të vendosin nëse duan të mbajnë sistemin e sotëm të drejtësisë të korruptuar dhe të politizuar apo nëse do ta mbështesin këtë reformë.

Për më shumë se 18 muaj, ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë, politikanë, shoqëria civile, dhe publiku, janë angazhuar në një debat të rëndësishëm mbi reformën e drejtësisë në Shqipëri. Ky proces shterues e ka përmirësuar draft-paketën e reformës dhe e afroi qeverinë dhe opozitën drejt një marrëveshjeje. Kjo reformë, të cilën e mbështesin shumica dërrmuese e shqiptarëve, mbetet një prioritet kyç për Shtetet e Bashkuara. Shtetet e Bashkuara do të punojnë për t’u siguruar që drafti përfundimtar i paraqitur në Komisionin e Posaçëm për Reformën në Drejtësi dhe në Parlament, të jetë një draft i drejtë, që përfaqëson idetë më të mira të ekspertëve vendas, ekspertëve ndërkombëtarë, dhe Komisionit të Venecias
",  thuhet në deklaratën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë.

ambasada e SHBA

(Deklarata e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë)

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ervin Salianji dënohet me 1 vit burg për kallëzim të rremë, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Horoskopi për sot, ditë e mirë për disa shenja në fushën profesionale dhe të ndjenjave! Ja ku duhet të tregoni kujdes

Horoskopi për sot, ditë e mirë për disa shenja në fushën profesionale dhe të ndjenjave! Ja ku duhet të tregoni kujdes