Shorti do të hidhet në ambientet e Kryesisë së Kuvendit në prani të përfaqësuesve të përfaqësive të huaja diplomatike, Avokatit të Popullit, Përfaqësuesve të grupeve parlamentare dhe medias.
Në short mund të marrin pjesë edhe kandidatët e propozuar nga institucionet e përcaktuara për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë.
KED ka një rol mjaft të rëndësishëm, pasi është Këshilli që do të bëjë Emërimet në sistemin e ri të Drejtësisë që do të ngrihet nga reforma.
Detyra e këtij këshilli është për verifikimin e kandidatëve për anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillit të Lartë të Prokurorisë, si dhe të kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese.
Njoftimi i Kuvendit
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë në mbështetje të pikës 3 të nenit 149/d dhe pikës 11 të nenit 179 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, neneve 221 dhe 284 të ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, njofton publikisht se ditën e premte, në datë 27 Janar 2017, ora 10.00, në ambientet e Kryesisë së Kuvendit do të organizojë hedhjen e shortit për përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
Me vendimin nr.3, datë 24.01.2017, Kryetari i Kuvendit ka miratuar rregullat dhe procedurën e hedhjes së shortit për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
Shorti është i hapur dhe zhvillohet në prani të:
përfaqësuesve të dërguar nga institucionet e përcaktuara nga neni 284 i ligjit nr.115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”;
Avokatit të Popullit;
Përfaqësuesve të grupeve parlamentare;
Përfaqësuesve të përfaqësive të huaja diplomatike të akredituara në Republikën e Shqipërisë dhe të organizatave partnere ndërkombëtare.
Medias
Në datën dhe orën e caktuar për organizimin e shortit mund të marrin pjesë edhe kandidatët e propozuar nga institucionet e përcaktuara nga neni 284 i ligjit nr.115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”.
dy.b/shqiptarja.com