"Besoj se nesër do të ketë zhvillime pozitive. Nëse do të ketë vullnet politik nga opozita, unë jam i bindur se s'ka asnjë arsye që drafti të vonohet e të mos i drejtohet seancës për tu votuar", u shpreh Manja.
Sipas tij, drafti është gati dhe se duhet të votohet në Kuvend javën e parë të muajit Prill.
Deputeti socialist komentoi edhe incidentin e demokratit Gent Strazimiri në protestën e një ditë më parë te Parku i Liqenit, ku u paraqit me armë pa leje, duke theksuar se përveç penaliteteve ligjore deri në 5 vjet burg, ai bëhet automatikisht subjekt i amendamenteve të PD për ligjin e dekriminalizimit.
Sipas tij, ndryshimet ligjore për "arrestimin në flagrancë" e pezullojnë Strazimirin nga jeta parlamentare deri në përfundimin e hetimeve.
Z.Manja, tema e ditës, dje dhe sot ka qenë kolegu juaj i kapur në protestë me armë. Në bazë të ligjit të ri, deputetët janë të detyruar të dorëzojnë armët. Pyetja ime është personale, ju keni patur armë?
Nuk kam mbajtur armë, edhe pse ligji na e lejonte, por s'kam preferuar të kem armë. Kjo për shkak se, për një parlamentar arma më e mirë është fjala në parlament. S'kam as nostalgji e as dëshirë, sepse misioni i një deputeti është krejtësisht tjetër në një rast demokratik.
Rasti i djeshëm, komenti juaj për z.Strazimiri, e prisnit të shfaqej në protestë me armë?
Në fakt, ai nuk është kapur me armë, por është evidentuar nga media. nëse organet ligjzbatuese do të kishin kryer detyrën, ndaj këtij personi duhet të ishte marrë masa e arrestit në flagrancë dhe duhet të ishte përgjigjur para ligjit si të gjithë qytetarët shqiptarë.
A mund ta bënte në orët e pasdites ose dje, policia?
Flagranca ka kaluar pas rastit të djeshëm. Por, rasti i djeshëm te kodrat e liqenit ishte një vetëdemaskim i kauzës së PD për dekriminalizim. Dje u pa qartë se refreni prej më tepër se 2 vjet, nuk ka qenë asgjë më shumë sesa teoria e kriminalizimit të çdo individi, deputeti, ministri që mendon ndryshe nga PD. Dje, përfundimisht PD-së i ra në kodrat e liqenit maska e dekriminalizimit dhe zbuloi fytyrën e vet të vërtetë.
Ne s'e dimë se çdo të bëjë PD në rastin e Strazimirit...
Kanë kaluar 24 orë dhe nuk kemi një reagim zyrtar nga PD,. kryetari i PD duhet të dalë para shqiptarëve dhe të distancohet nga ky akt. Të paktën duhet të marrë masa ndaj deputetit, ta përjashtojë nga grupi dhe t'ia dorëzojë drejtësisë.
Mund të procedojë prokuroria nisur vetëm nga pamjet? Se ka pretendime të ndryshime, kishte apo s'kishte armë?
Ka një kallëzim, mesa e dëgjuam edhe në media, ndaj disa deputetëve dhe deputetit Strazimiri. Por, sigurisht që hetimi është çështje fakti, por as vetë Strazimiri nuk e mohon fakton se ka patur një armë pa leje dhe s'ka qenë në dijeni se leja e armës kishte skaduar. Mjafton ky fakt që ai të kallëzohet para ligjit. Nëse i referohemi asaj që ka ndodhur te Parku, kemi jo vetëm shkelje flagrante të ligjit për tubimet, por kjo shkelje sipas nenit 263 të Kodit Penal, se pjesëmarrja në tubime të paligjshme me armë dhe armëmbajtje pa leje. ligji për tubimet, në nenin 16, edhe për një tubim me leje, ndërpritet menjëherë e konsiderohet i paligjshëm, nëse një pjesëmarrës është i armatosur. Ligji s'bën dallime as të personit që është me armë me leje. Shkelja e kësaj klauzole ligjore referon në kodin penal. Pjesëmarrja në një tubim të paligjshëm dhe i armatosur, gjobë deri në 1, për armëmbajtje pa leje, është jo më pak se 5 vjet.
I bie të dënohet 6 vjet?
Nëse do t'i nënshtrohet procedurave të hetimit dhe gjykimit, Strazimiri duhet të përgjigjet për atë që ka demonstruar te kodrat e liqenit.
Në aspektin politik kemi parë një qëndrim të ashpër të deputetëve të PD, z.Suli s'e lanë të fliste në podium, ditën e enjte kur Strazimiri do të vijë në parlament, ju do të bëni të njëjtën gjë?
E kemi thënë se me PD-në nda ndajnë shumë gjëra, por ndahemi tek vizioni që kemi për shtetin dhe ligjin. E gjithë filozofia e PD në këto dy vite e gjysmë, ka qenë ajo e kriminalizimt dhe baltosjes së gjithçkaje të mirë që është bërë në këtë vend. PD s'i ka ofruar shqiptarëve alternativa, as reforma konkrete, me përjashtim të baltosjes së çdo individi, deputeti e ministri. Ata që janë rreshtuar në anën e qeverisë apo të reformave, PD i ka shpallur kriminelë. Ndërsa kur janë në anën e tyre, për PD-në janë engjëj. Ne nuk fajësojmë Lulzim Bashën dhe PSD-në për lajthitjen e një deputeti. Jo. S'është faji i Bashës dhe PD-së pse një ditë të bukur pranvere, lajthiti me kobure në brez deputeti Strazimiri, që për hir të së vërtetës e pati shpallur ai vetes dhe PD-ja atë, simbolin e viktimizimit të dhunës e kriminalizimit të mazhorancës mbi këtë deputet. Por Basha e PD është fajtorë për standardin që ofron, për mbrojtjen politike që i bën këtij deputeti për rastin e djeshëm. Ka kaluar 24 orë dhe s'po shohim një qëndrim zyrtar të PD-së e Lulzim Bashës. Madje në paturpësi, lideri i PD tallet me shqiptarët kur thotë se e mora në telefon Strazimirin e më tha se s'ka patur pistoletë me vete. Kur të gjithë e panë me figurë që në brez deputeti kishte armë dhe kolegu tjetër, po zyrtar i lartë i PD, Arben Ristani, me një papërgjegjshmëri absolute, u thotë shqiptarëve se s'ishte armë, por këllëf celulari. Ne, ndryshe nga PD, kemi aplikuar standard tjetër, kur një deputet ka shkelur ligjin, jemi distancuar si grup dhe u kemi thënë shkoni, përballuni me ligjin.
Nëse PD nuk distancohet, ju çfarë do bëni?
S'kemi si të biem në grackën dhe baltën e PD, të sajojmë sebepe të paqena, për tu bërë pengesë për mbarëvajtjen e punimeve të Kuvendit dhe kryerjen e reformave të rëndësishme, siç është ajo në sistemin e drejtësisë. Të enjten do ta dënojmë rastin, dhe do ta ftojmë PD-në që bëri PS me zyrtarë apo deputetë të saj që kanë shkelur ligjin. Nëse nuk e bën PD, atëherë është shumë e qartë se Lulzim Basha, Sali Berisha e PD, në dy vjet në kauzën e dekriminalizimit, janë tallur me shqiptarët. Madje, përgjërimi i tyre për reformën në drejtësi, e kanë retorikë dhe tallje me shqiptarët.
Nëse Prokuroria nis procedimin penal, Strazimiri rrezikon të preket nga dekriminaliimi?
Me ligjin që ka hyrë në fuqi jo, por me ndryshimet që kanë kërkuar t'i bëjnë ligjit të dekriminalizimit për arrestimin në kushtet e flagrancës, dhe që tani është në procedurë parlamentare, me këtë akuzë, deputeti Strazimiri pezullohet nga Kuvendi deri në hetimin e gjykimin e çështjes. Atë që e kishin përgatitur me dashakeqësi për të tjerët, dje, sot po u kthehet. Nëse miratohet ndryshimi në ligjin, ku një nga firmëtarët është edhe vetë deputeti Strazimiri, ai pezullohet nga jeta parlamentare. Ligji është në procedurë parlamentare dhe në fund do të ketë një vendimmarrje të Kuvendit. Nëse Kuvendi do ta shohë se duhet miratuar, atëherë le të miratohet.
Ka deputetët që s'e kanë dorëzuar armën?
Nuk jam në dijeni të këtij fakti. Por nëse ka akoma deputetë që s'e kanë dorëzuar armën, do të më vinte keq që s'e kanë kryer procedurën ligjore për të dorëzuar armën, pasi tashmë është miratuar ligji që i heq të drejtën zyrtarëve të lartë për armëmbajtje.
Reforma në drejtësi, si po shkon procesi?
Tryeza duhet të fillojë aty ku u la. Nuk e kuptoj arsyen pse nuk vazhdoi me të njëjtën ritëm si ditën e parë tryeza e komisionit. Natyrisht që opozita, do të bëjë politikë, por ka zgjedhur me reformën në drejtësi, targetin e gabuar për tu marrë me retorikë politike. Ne kemi bërë një marrëveshje që pika e përbashkët për këtë reformë do të jenë sugjerimet e Komisionit të Venecias. Jam optimist se tryeza do të fillojë aty ku u ndërpre.
Ka sinjale pozitive?
Deri tani nuk kemi as sinjale negative, që s'do vijnë te tryeza. Besojmë se ata do të kthehen në tryezë. Kemi bërë lëshimet përkatëse, por pa cenuar amendamentet e përmbajtjes kushtetuese për t'i hapur rrugë reformës. Një nga pikat që ka mbetur për tu diskutuar është çështja e votimit për 2/3 ose 3/5, është lënë si pikë e fundit.
Si do të funksioniojë Byroja? Në varësi të kujt do të jetë?
Nuk kemi hyrë në këto teknikalitete por kemi rënë dakord me atë përcaktim që ka bërë Venecia. Ku është shprehur shumë qartë që Prokuroria Speciale, për hetimin e veprave penale të korrupsionit e krimi i organizuar, do të jenë të pavarura nga Prokurori i Përgjithshëm. Pra, kemi rënë dakord që do të ketë një Prokurori të posaçme nga Prokurori i Përgjithshëm. Ai i Përgjithshëm, është nomeklaturë e Kuvendit, me propozim të Këshillit të Prokurorisë. Në rastin e Prokurorisë Speciale, nuk do të shkojë fare në Kuvend, por Këshilli i Prokurorisë e përcakton direkt. Byroja do të jetë në varësi të kësaj prokurorie. Por, mënyra e organizimit do të përcaktohet me ligj të posaçëm. Ka debate se a duhet të jetë apo jo në Kuyshtetutë, por në variantin final, kjo strukturë ka një definim Kushtetues. Byroja e Hetimit është shërbim i Policisë Gjyqësore. Ligji do të përcaktojë, por në gjykimin tim dhe besoj se këtu biem dakord, oficerët e kësaj strukture do të rekrutohen siç rekrutohen oficerët e Policisë Gjyqësore.
Do të ketë përbërje të huaj? Se ka një optimizëm nga publiku që vetëm ata mund të hetojnë...
Kjo strukturë do të jetë e pavarur në hetimin e veprave penale të korrupsionit e krimit të organizuar. Madje pavarësia shkon deri aty, sa prokurorët e kësaj zyre, në raport me drejtuesin, nuk mbarin detyrimin për t'i raportuar për hetimin e një çështje të caktuar. Prokurorët e zyrës do të kenë tagrin të hetojnë jo vetëm prokurorë e gjyqtarë të tjerë, por edhe prokurorët e zyrës. Sot kemi një Prokurori të decentralizuar ku mungon llogaridhënia. Dhe të gjitha progres-raportet e BE kanë kritikuar këtë strukturë. Në draft amendamentet e reja, prokurori i çështjes është zoti i çështjes.
Mandati i Llallës, do të jetë deri në 2017-ën?
Jemi shprehur qartësisht dhe kemi pranuar të gjitha sugjerimet e Venecias dhe është shprehur për këtë pikë, që s'do të ketë ndërprerje të mandateve kushtetuese dhe në këtë kuadër edhe për Prokurorin s'do të ketë ndërprerje të mandatit.
Kur mund të rinisin negociatat për drejtësinë? Nesër? Ndikon ardhja e komisionerit Johannes Hahn?
Besoj se nesër do të ketë zhvillime pozitive. Nëse do të ketë vullnet politik nga opozita, unë jam i bindur se s'ka asnjë arsye që drafti të vonohet e të mos i drejtohet seancës për tu votuar. S'po them për këtë të enjte, sepse drafti do të votohet në komisionin e posaçëm njëherë, por e shoh të mundshme kalimin e draftit në Kuvend pse jo, javën e parë të muajt Prill. Nuk ka pika për të cilat nuk biem dakord. Dhe të nxjerrësh sebep mandatin e deputetit Suli apo koleges Leskaj, kjo është pa pikën e lidhjes për tryezën e reformës në drejtësi. Mandatet janë çështje kushtetuese. PD le ta çojë në Kushtetuese vendimin e Kuvendit si në rastin e Kokëdhimës. Gjithkush e kupton se kur një mazhorancë të thotë eja në tavolinë se kemi rënë dakord që ta bëjmë këtë reformë sipas Venecias, ndërsa ata që dolën te Liqeni ta dini se të gjithë e duan atë këndin e lojërave për fëmijë atje, por dje ishte protestë kundër reformës në sistemin e drejtësisë, dhe ti nuk vjen...ne do të shkojmë para shqiptarëve dhe do tu themi, siç e mendoj unë. Mazhoranca ka forumet e veta vendimmarrëse dhe duhet tu themi shqiptarëve se kjo është gjendja e korrupsionit, krimit, ky është sistemi, kjo është përpjekja jonë që kemi bërë në këtë moment.
Keni miratimin e LSI për këtë?
Ditën e parë të tryezës së komisionit, mazhoranca ka qenë solide në qëndrimin e saj. Ka patur një dakordësi të mazhorancës përsa i përket temave që janë diskutuar. Mazhoranca e ka bërë të qartë, ne kërkojmë një reformë në drejtësi. Sistemi i drejtësisë tani po punon si të jetë dita e fundit e punës. Për shkak të këtij sistemi sot janë bërë të gjithë pis, por në fakt ka gjyqtarë dhe prokurorë në funksion të ligjit që punojnë e jetojnë me rrogën e shtetit.
Redaksia Online
Shqiptarja.com