"Drejtësia", Xhafaj: Jo “copy
paste”, por reformë shqiptare

paste”, por reformë shqiptare">
Kryetari i Komisionit të Posaçëm "Për reformën në Sistemin e Drejtësisë", Fatmir Xhafaj deklaron se, reforma në drejtësi nuk do të jetë “copy & paste”, por një reformë shqiptare që zgjidh problemet e krijuara në vendin tonë. Në bashkëbisedimin me gazetarët në ambientet e Komisionit të Ligjeve, Xhafaj duke folur për reformën kyçe të integrimit në BE, por edhe për jetën e përditshme të qytetarëve, tha se Shqipëria do të kërkojë asistencë teknike dhe financiare nga BE dhe partnerët e tjerë.

“Reforma duhet të jetë një reformë shqiptare. Reforma është dhe duhet të jetë shqiptare sepse problemi është i yni, i krijuar prej nesh dhe përgjegjësia është e jona dhe zgjidhja duhet të jetë e jona. Kemi nevojë për ligje që mbështeten tek standardet por që zgjidhin problemet reale shqiptare”, tha Xhafaj.

Reformimi i legjislacionit tha Xhafaj do të parashikojë masa ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve për të hapur një faqe të re në funksionimin e sistemit të drejtësisë. Duke e cilësuar situatën si mjaft kritike, ai theksoi se sistemi i drejtësisë “nuk pranon makiazh por vetëm ndërhyrje kirurgjike”.

“Reformë që edhe shqiptarët të kenë gjyqtarët dhe prokurorët me standard evropiane. Situata në sistem është kritike. Korrupsioni, paaftësia dhe papërgjegjshmëria e bëjnë sistemin një mjet në duart e më të fortëve në kurriz të më të dobëtëve”, tha Xhafaj.

Reforma është kyçe për integrimin në BE, tha ai duke shtuar se BE dhe partnerët e tjerë do të kërkojnë mbështetje në asistencë teknike dhe financiare që është e nevojshme për këtë proces. xhafaj foli edhe për pengesat në realizimin e kësaj reforme duke thënë se rruga nuk është e lehtë, por “një maratonë me pengesa” dhe një proces i rrethuar me skepticizëm dhe me kundërshtarë.

“Reforma synon të ndahet nga të paaftët, të inkriminuarit dhe të korruptuarit. Kush është i shqetësuar për largimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të paaftë dhe të korruptuar do të rreshtohet tek humbësit. Reformën e udhëheq politika por e realizon ekspertiza”, deklaroi Xhafaj.

Por, Xhafaj theksoi se do të kërkohet konsensus me opozitën por jo sakrifikim i reformës vetëm me qëllim arritjen e këtij konsensusi.

“Konsensusi për hir të konsensusit është i dëmshëm. Konsensusi duhet t’i shërbejë reformës jo reforma të sakrifikohet për hir të konsensusit. E rëndësishëm është cilësia e bashkëpunimit dhe jo bashkëpunim për hir të bashkëpunimit. Drejtësia është aleati i vetëm i qytetarëve përballë pushtetit të korruptuar”, tha kreu i komisionit të reformës në drejtësi.

Më tej, Xhafaj tha se konsensusi PD-PS në ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 nuk sollën ndryshimet e përshtatshme.

“Ndryshimet kushtetuese të 2008, procesi i realizuar nuk ishte procesi i përshtatshëm dhe me standardet e gjithë pranuara në këtë fushë”, tha ai.

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se protestat mund ta forcojnë pozicion politik të PD-së?



×

Lajmi i fundit

Institucionet e drejtësisë refuzojnë komisionin ‘Antikorrupsion’, Prokuroria e Përgjithshme për Report Tv: S'marrim pjesë, japim opinion nëse na kërkohet

Institucionet e drejtësisë refuzojnë komisionin ‘Antikorrupsion’, Prokuroria e Përgjithshme për Report Tv: S'marrim pjesë, japim opinion nëse na kërkohet