Drejtori i përgjithshëm i BBC-së, Tim Davie, dhe administratorja e përgjithshme e lajmeve, Deborah Turness, kanë dhënë dorëheqjen pas kritikave sipas të cilave televizioni britanik kishte mashtruar shikuesit duke ndryshuar një fjalim të presidentit Donald Trump, të mbajtur më 6 janar 2021, ditën e sulmit ndaj Kapitolit.
"Ky është një vendim plotësisht i imi dhe vazhdoj të jem thellësisht mirënjohës ndaj Presidentit dhe Bordit Drejtues për mbështetjen e tyre të palëkundur dhe unanime gjatë gjithë mandatit tim, përfshirë edhe ditët e fundit", deklaroi Davie në një njoftim.
"Kam reflektuar mbi kërkesat e forta personale dhe profesionale që sjell menaxhimi i këtij roli për shumë vite në këto kohë të tensionuara, së bashku me faktin se dëshiroj t’i jap pasardhësit tim kohën për të kontribuar në përcaktimin e planeve të Kartës që do të zbatojë", shtoi ai.
Duke paraqitur dorëheqjen e saj, administratorja e përgjithshme e News, Deborah Turness, deklaroi në një njoftim se polemika mbi programin Panorama lidhur me videon për presidentin Donald Trump "ka arritur një nivel të tillë sa ka dëmtuar BBC-në, një institucion që e dua". "Përgjegjësia bie mbi mua", theksoi ajo. "Edhe pse janë bërë disa gabime, dua të jem absolutisht e qartë: akuzat e fundit se BBC News është institucionalisht e njëanshme janë të gabuara", shtoi Turness.
Në orët e fundit, qeveria britanike kishte kërkuar shpjegime nga BBC-ja pas akuzave se një dokumentar i transmetuesit publik kishte paraqitur në mënyrë mashtruese disa fjali të presidentit amerikan Donald Trump, në prag të zgjedhjeve amerikane të nëntorit 2024. Ministrja e Kulturës, Lisa Nandy, e kishte cilësuar ngjarjen "jashtëzakonisht serioze". Nandy kishte shpjeguar për BBC News se këtë javë kishte folur me presidentin e grupit audioviziv publik, Samir Shah, i cili të hënën do të raportojë para komisionit parlamentar të Kulturës dhe Medias. Sipas shtypit britanik, përfshirë vetë BBC-në, përgjigjja e Shah do të përmbajë edhe një kërkimfalje.
Rasti u zbulua të martën nga e përditshmja konservatore The Daily Telegraph. Në qendër të polemikës ndodhet një episod i programit Panorama, transmetuar një javë para zgjedhjeve amerikane të 5 nëntorit 2024. BBC-ja akuzohej se kishte montuar pjesë të ndryshme të një fjalimi të 6 janarit 2021 për të krijuar përshtypjen se Trump u thoshte mbështetësve të tij se do t’i drejtonte drejt Kapitolit për të "luftuar si djaj". Në fjalimin e plotë, shprehja "luftoni si djaj" përdoret në një kontekst tjetër, ndërsa pjesa për Kapitolin i referohej "inkurajimit të senatorëve dhe përfaqësuesve të Kongresit". Nga ana e saj, BBC-ja fillimisht kishte bërë të ditur se Shah do të ofrojë "një përgjigje të plotë" përpara komisionit parlamentar.
Ministrja Nandy ishte shprehur e bindur se drejtuesit e transmetuesit po e trajtojnë çështjen "me seriozitetin e nevojshëm". Por ajo kishte shtuar se akuzat nuk kanë të bëjnë vetëm me këtë episod: "Bëhet fjalë për një sërë pretendimesh shumë serioze, më e rënda ndër të cilat sugjeron ekzistencën e një paragjykimi sistemik në mënyrën se si BBC trajton çështje të ndërlikuara". Ministrja kishte shprehur gjithashtu "shqetësim" për disa zgjedhje redaksionale të transmetuesit, që sipas saj, “jo gjithmonë përmbushin standardet më të larta”./Corriere della sera
Donald Trump i ka dërguar një letër BBC-së, duke kërcënuar formalisht me padi lidhur me montazhin e dy pjesëve të ndara të një fjalimi të tij të vitit 2021, të montuara në mënyrë të atillë që krijonin përshtypjen se ai kishte nxitur drejtpërdrejt sulmin ndaj Capitol Hill-it.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë televizioni britanik, duke sqaruar se letra është pranuar dhe se BBC-ja rezervon të drejtën për të “përgjigjur” në mënyrën e duhur. Skandali që ka përfshirë BBC-në, transmetuesin publik britanik me më shumë se një shekull histori, i konsideruar prej kohësh një model i pavarësisë mediatike në Perëndim — ka mbërritur tashmë përpara Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar.
Drejtuesit kryesorë të BBC-së u detyruan të japin dorëheqjen dje, pas akuzave për anshmëri politike, të përhapura gjerësisht nga media dhe politikanë të djathtë. Kjo ndodhi pas një fushate të gjerë që kulmoi me denoncimin e redaksisë së emisionit “Panorama”, një program i njohur investigativ i BBC-së, i akuzuar se kishte montuar artificialisht dy pjesë të ndara të një fjalimi të Donald Trump-it të vitit 2021, për ta bërë të dukej sikur ai kishte nxitur drejtpërdrejt rrethimin e Capitol Hill-it.
Dorëheqjet e drejtorit të përgjithshëm Tim Davie dhe të CEO-së së BBC News, Deborah Turness, janë sot në qendër të një seance dëgjimore në Komisionin e Kulturës të Dhomës së Komunëve, të kryesuar nga deputetja konservatore e opozitës, Caroline Dinenage. Ndërkohë, BBC-ja ka kërkuar zyrtarisht falje për “gabimin e bërë”.
“Gabim”, për të cilin Davie dhe Turness morën përgjegjësinë përfundimtare, në përputhje me rolin e tyre drejtues, megjithëse jo pa polemika. Në një fjalim lamtumire emocional të mbajtur mëngjesin e sotëm në selinë e BBC-së, Deborah Turness iu përgjigj indirekt akuzave të Trump-it duke deklaruar "Gazetarët tanë nuk janë të korruptuar”, duke hedhur poshtë dyshimet për “anshmëri institucionale” në transmetuesin publik britanik.
Ansa
Komente









