Drejtori Top: forca jonë është liria

Intervistë me Drejtorin e Përgjithshëm të Televizionit Kombëtar “Top Channel”, zotin Enkelejdi Joti

Zoti Joti, sot kremtohet 10-vjetori i kompanisë më të fuqishme mediatike në vend. Cilat janë ngjarjet më të rëndësishme të shënuara në moshën e kompanisë dhe sidomos të televizionit që ju drejtoni?

Po flasim për dhjetëvjetorin e “Top Channel” dhe natyrisht që ka pasur një numër ngjarjesh të rëndësishme në të gjithë këtë dekadë, ngjarje që kanë shënuar jo vetëm rritjen dhe zhvillimin tonë, si një televizion i rëndësishëm, më i rëndësishmi do të thosha në hapësirën mbarëshqiptare, por kanë shoqëruar edhe historinë e Shqipërisë dhe të shqiptarëve të këtyre viteve. Por nuk dua të ndalem aq shumë te ngjarjet e veçanta, të cilat ju dhe vetë shqiptarët i kanë në memorie, por dua të nënvizoj ato aspekte që e bëjnë “Top Channel” të jetë pararojë në tregun mediatik, të cilat kanë qenë shtyllat e zhvillimit që në ditët e para. Ato janë liria, liria për të shprehur dhe liria për të krijuar, kuraja për të bërë të mundur edhe atë që për shumë kënd mund të duket e pamundur, te puna e madhe dhe e vazhdueshme e atyre qindra punonjësve dhe bashkëpunëtorëve tanë ndër vite, besimi që kemi dhënë dhe që kemi marrë nga bashkëpunëtorët tanë dhe nga publiku për atë që kemi paraqitur dhe çfarë është shumë e rëndësishme gjithashtu, risia teknologjike që “Top Channel” futi që në fillim dhe që është kthyer në karakteristikën e rëndësishme të këtij televizioni. Prej ditës së parë dhe deri tani, të gjithë kemi qenë dëshmitarë të zhvillimeve të fuqishme, që nga implementimi i teknologjisë dixhitale deri tek ajo HD. Këto kanë qenë bazat mbi të cilat Tani ideoi këtë televizion, mbi të cilat ai ndërtoi një ëndërr, dhe mbi të cilat kjo ëndërr u bë realitet për të gjithë ne dhe për të gjithë shqiptarët që kanë me se të krenohen.


Ideatori dhe themeluesi i “Top Medias”, i paharruari Dritan Hoxha, udhëhiqej prej motos së shpejtësisë në gjithçka. Cili është “çelësi” përmes të cilit kjo kompani mediatike kryeson garën në vend dhe pse jo edhe në rajon?

Unë e preka edhe më sipër, në pyetjen tuaj të parë: është liria, puna krijuese, besimi, teknologjia, ambicia dhe më e rëndësishmja pasioni që Dritan Hoxha diti që të përcjellë te çdo punonjës i televizionit. E gjitha kjo ka mbetur një karakteristikë kryesore e “Top Channel”, dhe ka bërë që të gjithë ne të tjerët të vazhdojmë ta vendosim çdo ditë në punën tonë për ta bërë këtë televizion sa më të rëndësishëm në shërbim të publikut. “Top Channel” lindi si ide e Dritan Hoxhës, por tashmë është kthyer në zërin e të gjithë shqiptarëve, një pasuri, një televizion i të gjithë publikut.

Drejtoni televizionin kombëtar më oponent në vend. Ç’ju sjell dhe natyrisht ç’ju vështirëson në këtë pozicion?

Të them të drejtën çdo ditë që kalon, tashmë që edhe unë thellohem pak dhe reflektoj për pyetjen tuaj, sjell më shumë përgjegjësi, më shumë punë dhe më shumë ngarkesë. Duke qenë drejtues i këtij televizioni çdo ditë, çdo javë dhe çdo muaj prej shumë vitesh, do të thosha që e gjithë kjo ngarkesë, edhe pse në rritje, është kthyer në një rutinë të përditshme. Ajo sjell jo pak kokëçarje, por edhe shumë kënaqësi. Në një punë, si në televizionin kaq të madh dhe të rëndësishëm “Top Channel”, duhet të vendosësh shumë pasion, shumë angazhim dhe shumë përgjegjësi. Por puna ime bëhet shumë më e lehtë falë mbështetjes që kam nga stafi i mrekullueshëm e profesionist që ka pasur dhe ka “Top Channel”.

Cilësia më e spikatur e “Top Medias” është rritja, ambicia dhe sfidat e reja të përhershme. Cilat do të jenë risitë për vitet në vazhdim?

Ne kemi qenë gjithnjë televizioni i surprizave, kemi ofruar gjithmonë risi dhe garantojmë që edhe këtë herë nuk do ta zhgënjejmë publikun. (Marre nga gazeta Shqip)

  • Sondazhi i ditës:

    Listat e deputetëve të hapura në 2/3 dhe jo plotësisht, jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Ndryshimet në Kodin Zgjedhor, OSBE: Shpresojmë që të respektohen kuotat gjinore