Secili student i universitetit publik vuan. Ata që janë në procesin e përgatitjes së shndërrimit në të diplomuar nga fakulteti dhe punëtorë potencialë. Nuk është vetëm stresi i provimeve dhe arsyet nga më personalet. Ata janë viktimë e mosfunksionimit dhe organizimit të dobët të sistemit arsmor.
Vuajnë sepse dikush nuk është në krye të përgjegjësisë që ka marrë. Sepse këta nuk e shohin vetën në pozitën e tjetrit. Sepse këta drejtues mashtrojnë. Këndëj japin shpresa e krijojnë iluzione, në prapaskenë të dashurit e zemrës nuk i shohin në sistemin të cilin e drejtojnë. Kjo do të thotë se në sytë e tyre ky sistem kosovar arsimi është i pashpresë. 

Hipokrizi. 

E studenti që nuk është fëmijë pasunari, qeveritari dhe sektoreve të tjera të operacionit “pasurimi i shpejtë”? Vuan kur i duhet t’i mbledhë paratë për pagesat semestrale. Kur i duhet të presë në radhë për paraqitjen e provimeve. Kur vjen në ligjërata prej fshati ose qyteti tjetër e profesori i mungon. Kur i njëjti (me shumë gjasë politikan) e ofendon. Kur s’guxon të flasë, të kundërshtojë, të ankohet. Nuk ka libra, sall skripta, e nganjëherë edhe ato s’janë shqip po prapë duhet pasur grosh për t’i blerë. Vuan se i duhet të marrë një kurs shtesë për anglishten po paret edhe për qira ose konvikt mezi i mjaftojnë. E sa herë i duhet kompjuteri e interneti ai e bën një zgjidhje të përkohshme. Por, studenti nganjëherë vuan edhe për karrige. S’ka ku të ulet për ligjetëratën. E ndoshta vuajtja më e madhe e studentit është kur para vetës ka ligjëruesin (e paaftë) që mendon se universiteti është ajo puna e lehtë, dytësore që ia mundëson vonesat e mungesat. 

E këta drejtuesit janë ministër e rektor të arsimit të këtushëm, por jo prindër të studentit në Kosovë. 

Ata këto vuajtje e heqjekeqe duket se i dinë fort mirë, ndoshta prandaj ministri Ramë Buja nuk ia ka besuar fëmijët e vet këtij sistemi por i ka çuar në shkolla e universitete private. Mëgjithëse përgjegjës për arsimin në Kosovë, djalit të tij Vrullimit, (jo sikur studenti më lartë por djalë ministri) i ka rekomanduar të mos jetë student Kosove. Ai i vazhdon studimet në universitetin e Sheffieldit në Greqi. Pikërisht në universitetin e njëjtë me të cilin Ministria e Arsimit ka të nënshkruar memorandum bashkëpunimi dhe në të cilin për çdo vit po shpenzon më shumë. Kësisoj, rrëfehet edhe një herë përralla mbi privaten e publiken.
Buja sikur gati të gjithë njerëzit nga qeveria ku bën pjesë, e zgjedh publiken për interes privat. Ose privatin për interes publik. Librin e tij të fundit e ka sponsoruar universiteti privat AAB-Riinvest. Në shikim të parë duket si konflikt interesi por a s’është ai ministër?! Ai pranon të jetë në post të lartë publik por jo t’i shfrytëzojë shërbimet për të cilat është përgjegjës. Pranon të jetë ministër Kosove por jo baba studenti, nxënësi i këtushëm. 


Këtë kurs e ndjek edhe i pari i arsimit të lartë në vend. Rektori i ri Ibrahim Gashi. Djali i tij, Arbri është student me bursë 50 për qind nga Ministria dhe pjesën tjetër nga universiteti. Veçse, është krejt e kuptueshme. Si do t’ia besonte ai djalin e tij, sistemit kur vetë ishte shpallur ndër profesorët më të papërgjegjshëm nga Parlamenti i Studentëve të Universitetit të Prishtinës në janar të këtij viti për shkak të mungesave të shumta. Si duket babai i mirë, profesor, është bërë rektor pa e kuptuar se arsimi definohet si përgjegjësi publike. Me këtë logjikë, që të dy mund të mos e kenë kuptuar se arsimi është investim kombëtar. Gashi është një prej atyre ligjëruesve që studentët përfundonin semestrat pa i njohur. Për këtë kishin reaguar organiatat studentore. 

Sigurisht se ata kanë shumë mënyra për t’u shpjeguar por ka vetëm një mënyrë për ta përshkruar gjendjen e keqe të arsimit - Degradim. 

Se desh harrova (ndoshta nga materiali i bollshëm i gjendjes së keqë të arsimit dhe sjelljes absurde të përgjegjësve), prej një hulumtimi të thjeshtë në faqen e këtij universiteti, shihen fotografi ku pjesëmarrës në një ceremoni diplomimi kanë qenë të ftuar edhe personazhet e shkrimit. Buja dhe Gashi. I pari me bashkëshorten. Nëpër foto nuk shpjegohet nëse ata janë ftuar si ministër arsimi dhe zv/minstër i Punëve të Jashtme (siç ishte Gashi në atë kohë) apo si baballarët e Vrullimit dhe Arbrit.

Djemve të Sheffieldit, suksese në studime! 

Studentëve e studenteve të Up-së: kurajo! Viti i ri akademik po fillon.