TIRANE - Drejtuesit më të lartë të partisë socialiste, në prag të festës së fundvitit kanë vizituar familjet e katër viktimave të 21 janarit.

Lideri i opozitës Edi Rama, vizitoi familjen e Aleks Nikës në Kolsh të Lezhës, ku përtej urimeve tradicionale është ndalur edhe tek zvarritja e gjyqit të 21 janarit.

Familja e Hekuran Dedës në Kamëz është vizituar nga deputetët Artan Gaci dhe Xhemal Qefalia.

Babai i Hekuranit, i cili dergjej në shtrat dhe familjarët e tjerë kanë bërë thirrje për drejtësi, ndërsa deputetët socialistë u kanë premtuar angazhim për vendosjen e drejtësisë për këtë ngjarje të rëndë.

Në familjet e Faik Myrtajt dhe Ziver Vezit, ka qenë kryetari i Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, i shoqëruar nga deputetë të kësaj force politike.

Edhe familja e Ziver Veizit ndër të tjera përballej me vështirësi të shumta, kryesisht ekonomike, ndërsa Gramoz Ruçi u shpreh se mbështetja për këtë familje nuk do të mungojë. Ai theksoi se drejtësia nuk do të vonojë.

Raporti i Komisionit Evropian, gjithashtu i ka kushtuar rëndësi ngjarjes së 21 janarit të vitit të shkuar, kur u vranë katër protestues, ku qartazi ka kërkuar që hetimi për këtë ngjarje të kompletohet përmes një procesi të besueshëm gjyqësor.

VIDEO