Drejtuesit e Tatimeve vodhën 6 mln
€ brenda 10 muajve, zyrtarët në gjyq

Drejtuesit e Tatimeve vodhën 6 mln<br />€ brenda 10 muajve, zyrtarët në gjyq
TIRANE- Gjashtë ish-zyrtarë të Drejtorisë Rajonale të Tatim-Taksave në Tiranë dhe dy administratorë të 13 kompanive kineze, sipas prokurorisë rezultojnë të kenë vjedhur 6 milion euro, si pasojë e skemës së mashtrimit me rimbulsimin e TVSH. E gjithë kjo vjedhje ka ndodhur brenda 10 muajsh dhe në disa raste dy biznesmenët kanë dalë nga banka me thasë me para. Konkluzioni ka dalë nga prokurori Dritan Reshka, i cili gjatë hetimeve disa mujore, ka porovuar se ish-zyrtarët e tatimeve dhe biznesmenët Mirjan Beneja dhe Gjergj Tupe, (nip dhe dajë) kanë përdorur një skemë mashtrimi, duke përfituar në kohë të ndryshme miliona lek.

E gjitha shuma sipas dosjes së prokurorisë është tërhequr “Kesh” nga bankat, ndërkohë në llogaritë e të pandehurve janë sekuestruar shuma financiare shumë të vogla, për të mos thënë qesharake. Ish-zyrtarët e tatimeve që janë vënë nën akuzë janë Ismail Muça, ish-drejtor i tatimeve, Afërdita Hysa ish-drejtore kontrolli, Laurent Vata ish-përgjegjës sektori, Edmond Osmani ish-inspektor, Gramoz Milushi ish-inspektor dhe Kujtim Metalia ish-inspektor. Ndaj këtyre personave dhe dy biznesmenëve Mirjan Beneja dhe Gjergj Tupe, janë ngritur akuzat e “Vjedhjes duke shpërdoruar detyrën”, ”Falsifikimit të dokumentave” dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale”.

Falsifikimi
Hetimi ka zbuluar se të gjitha prokurat janë falsifikuar duke përdorur emrin e noteres Laura Pustina. E njëjta skemë ka ndodhur dhe me kontrata e shitjes. Menjëherë pas blerjes së këtyre shoqërive dhe depozitimit të kontratave të shitjes për transferimin e kapitalit, përfaqësuesit e rinj të saj Mirjan Beneja dhe Gjergji Tupe kanë bërë kërkesë për likujdimin e shoqërive pranë administratës Tatimore Tiranë duke filluar procedurat e ç’rregjistrimit. Më pas në përfundim të procedurave të kontrollit, sapo shoqëritë kanë marrë rimbursimin e TVSH-së kreditore të mbartur ndër vite në vlera të mëdha dhe kanë bërë ç’rregjistrimin në organin tatimor rajonal si dhe shpalljen e falimentit pranë QKR. Të gjitha veprimet kanë ndodhur brenda periudhës janar–tetor 2013 dhe bazuar në kërkesën për ç’regjistrim, organi tatimor rajonal ka kryer veprimet e likujdimit të detyrimeve dypalëshe si rezultat i të cilave është dhënë edhe rimbursimi i TVSH-së duke shkelur procedurat ligjore që rregullojnë mardhëniet në këtë fushën e rimbursimit të TVSH-së dhe si rezultat i këtyre veprimeve administratës tatimore i është shkaktuar një dëm prej 515,455,275 lekë të reja.

Tërheqja e lekëve
Nga këto të dhëna ka rezultuar se në të gjitha rastet e pagesave të bëra në bankat e nivelit të dytë për këto shoqëri  është paraqitur i pandehuri Mirjan Beneja dhe në një rast i pandehuri Gjergji Tupe, të cilët brenda një kohe të shkurtër disa ditore nga momenti i kalimit të pagesave pranë bankave kanë bërë tërheqjen në para në dorë/cash të të gjitha shumave të rimbursuara nga Drejtoria e tatimeve dhe gjëndja e këtyre llogarive rrjedhëse aktualisht është në vlera minimale.Këto para të tërhequra cash me qëllim mos lënien e të dhënave në sistemin financiar janë ndarë ndërmjet të pandehurve Ismail Muca, Aferdita Hysi, Laurent Vata, Edmond Osmani, Gramoz Milushi, Kujtim Metalia, Mirjan Beneja dhe Gjergji Tupe.

JA 8 PERSONAT E AKUZUAR SI TE PËRFSHIRË NE SKEMËN MASHTRUESE ME RIMBURSIMIN E TVSH
1. Ismail Muça- Drejtor i Drejtorisë Rajonale të Tatimeve (DRT) Tiranë
2. Afërdita Hysa- Drejtore e Kontrollit, D.R.Tatime, Tiranë
3. Laurent Vata – Përgjegjës i Sektorit të Kontrollit, D.R.Tatime, Tiranë
4. Edmond Osmani – Inspektor Kontrolli, D.R.Tatime, Tiranë
5. Gramoz Milushi - Inspektor Kontrolli, D.R.Tatime, Tiranë
6. Kujtim Metalia - Inspektor Kontrolli, D.R.Tatime, Tiranë
7. Mirjan Beneja – Administrator i kompanive private
8. Gjergj Tupe - Administrator i kompanive private

Shkrimi u publikua sot 2 maj 2014 në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia online
(d.a/shqiptarja.com) 

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Gazment, rrugës për në SPAK merr edhe këto letra me vete

Gazment, rrugës për në SPAK merr edhe këto letra me vete