Drilon Shala: “Mos thuaj mbaroi”, balada
për dashurinë e humbu

Drilon Shala: “Mos thuaj mbaroi”, balada<br />për dashurinë e humbu
E kemi parë të këndojë këngë të, Snow Patrol, Paul Anka, Frank Sinatrës etj, por së fundmi ka nxjerr në treg një këngë të tij. “Mos thuaj mbaroi”, është balada që solli në “Top Fest 9” djali simpatik nga Kosova, Drilon Shala. I njohur për publikun në spektalin “The Voice of Albania”, Shala vjen me një baladë dashurie kushtuar ish të dashurës së tij. Në një intervistë për suplementin THASH&THEM Driloni thotë se, kënga është mirëpritur nga publiku dhe se së shpejti mendon të shoqërojë edhe me një videoklip. Ai na tregon gjithashtu se, do të nis nga puna për albumin e tij të parë. Ndonëse ka studiuar për ekonomi politike në Britani dhe prej kohësh punon në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë, Driloni pohon se, nuk do të shkëputet asnjëherë nga muzika dhe se ndihet i bekuar më zërin e tij.

Menjëherë pas mbarimit të “The Voice” merrni pjesë në Top Fest, si ndiheni?

Kjo gjë më bën të ndihem shumë i lumtur. Pasi prezantova veten si këngëtar në spektaklin “The Voice of Albania”, tani paraqitem me një këngë timen dhe kjo gjë do të thotë shumë për mua.

Merrni pjesë me një baladë, kujt I kushtohet ajo?

Unë edhe në “The Voice” jam karakterizuar si këngëtar që më së shumti i përshtatet baladave. Duke e konsideruar këtë zhanër muzikor si pikën time më të fortë vendosa të paraqitem me një baladë. Nga ana tjetër është e vërtet që para disa muajsh unë jam ndarë nga e dashura dhe kjo kënge flet për një histori në mes të dy të dashuruarve që sapo janë ndarë. Mirëpo teksti i kësaj kënge është thjesht rastësi, që do të thotë nuk i është kushtuar dikujt në veçanti pavarësisht që besoj se një pjesë e madhe njerëzish mund ta gjejnë veten në këtë tekst.

Me kë keni bashkëpunuar për këtë këngë?

Për realizimin e kësaj kënge, kam hasur në një bashkëpunim të mrekullueshëm dhe që besoj rezultoi edhe në një kënge shumë të bukur. Për muzikën është përkujdesur me përkushtimin më të madh kompozitori, Endrit Shani, ndërkaq kënga u kurorëzua me një tekst po ashtu të mrekullueshëm e kuptimplotë nga tekstshkruesi Olti Curri. Përmes kësaj interviste, unë shfrytëzoj rastin ti përshendes nga zemra që të dy pasi kanë bërë një muzike dhe tekst, që më është përshtatur më së miri mua si këngëtar.

Si është pritur kënga nga publiku?

Edhe pse rreth 2 javë që kënga është lançuar në skenën e Top Fest 9, unë kam vënë re që ajo është mirëpritur shumë mirë nga publiku. Kam hasur përgjithësisht në reagime dhe përshtypje shumë pozitive. Ajo që më bën edhe më të lumtur është që kënga është pëlqyer në tërësinë e saj, pra është pëlqyer muzika, teksti dhe vokali. Unë shfrytëzoj rastin ti falenderoj të gjithë ata përkrahës që më kanë mbështetur qysh nga pjesëmarrja në “The Voice” dhe që vazhdojnë ta bëjnë ende një gjë të tillë.

Keni menduar ta shoqëroni me një videoklip?

Një ide të tillë vetëm e kam në mendje, pasi siç e thashë më sipër kam vëne re që kënga po pëlqehet. Jam ende duke parë për bashkëpuntorë në këtë aspekt, mirëpo diçka ekzakte nuk mund ta them në këtë moment. Shpresoj që së shpejti…

Synoni të arrini në finale?

Pritshmëritë e mia që kur u krijua kënga dhe në momentin kur e prezantova në Top Fest ishin dhe vazhdojnë të jenë që kënga të pëlqehet nga publiku. Gjithsesi përveç kësaj si çdo pjesëmarrës në evenimente të tilla synoj edhe finalen, pasi ka qenë ëndërr e imja të ngjitem në skenën e finales së madhe të një spektakli si “ Top Fest”, e aq më shumë të performoj në një sallë gjigande si ajo e Pallatit të Kongreseve.

Përveç Top Fest, cilat janë projektet tuaja të afërta muzikore?

E përmenda edhe pak më sipër që ka shumë mundësi ti realizoj edhe një klip këngës , kështu që kjo mund të konsiderohet ndër planet më të afërta. Gjithashtu jam duke menduar edhe për realizimin e albumit tim të parë. Ndoshta një gjë e tillë do më marr shumë kohë, mirepo dua që kur të bëj një gjë të tillë të jetë diçka kualitative, profesionale dhe që të pëlqehet.

Ju punoni në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë , me se merrni konkretisht?

Po. Kjo është një punë që i përket fushës së studimeve (si ato Bachelor dhe Master) që kam përfunduar, pra ekonomise. Në këtë Ministri merrem me çështjet që kanë të bëjnë me Organizatën Botërore Tregtare dhe gjithashtu me anëtarësimin e Kosovës në një organizate (marrëveshje tregtare) të tillë.

Sa kohë merr muzika nga dita juaj?

Tani kam filluar punë dhe koha që të merrem me muzikë është paksa më e limituar. Mirëpo mund të them me shumë sinqeritet që një pjesë të madhe të ditës ma merr këndimi, pasi nuk ka minutë e sekondë që nuk jam duke kënduar, në mos me zë të lartë në mendimet e mia. Muzika është ushqim i shpirtit tim dhe me të jam i lidhur aq ngushtë sa që nuk do e imagjinoja asnjëherë jo ditën, mirëpo jetën pa të. Ndihem shumë me fat që Zoti më ka falur një dhuratë të tillë, pra zërin.

Do të vazhdoni të merreni me muzikë, apo ajo është thjesht një hobi?

Pa asnjë dyshim, që do vazhdoj të merrem me muzikë pasi muzika zë një vend të rëndësishëm në shpritin tim dhe jetën time. Për mua është definitivisht më shumë se hobi.

Sa ju ndihmoi “The Voice” në karrierën tuaj muzikore?

“The Voice” më ka ndihmuar shumë sa i përket karrierës sime muzikore, që kam filluar të ndjek tani me më shumë përkushtim. Më ndihmoi të adaptohem me emocionet e një skenë gjigande, të mësoja si të komunikoja me publikun e si të performoja, ishte gjithashtu një shkollë muzike e vokali në vetvete.

Keni qënë një nga konkurrentët që nuk u pranuat fillimisht në “The Voice”, por që më pas arritët të shkonit në gjysëm finale, si u ndjetë?

Arritja në gjysëmfinale ishte një emocion i madh. Gjithashtu të jem i sinqertë, fakti që nuk arrita të prek finalen e madhe më bëri të mërzitem pak, pasi mendoj që dhashë një performance të denjë mirëpo formati donte që vetëm një duhej të kalonte. Pavarësisht këtij fakti unë jam shumë i lumtur dhe krenar me rrugën që bëra në ‘The Voice’. Mendoj që rrugëtimi im në The Voice (duke pasur parasysh që siç thatë edhe ju erdha me shansin e dytë) tregoi që me shumë punë, përkushtim e vetbesim arrihet larg jo vetëm në këngë por kudo. Besoj që rrugëtimi im në “ The Voice”, tregoi që jam këngëtar e artist I kompletuar siç e thanë edhe trajneret e këtij spektakli, duke ditur që në çdo javë unë dhashë diçka të re nga vetja dhe gjithashtu eksperimentova në shumë zhanre muzikore. Di të them që çdo natë, çdo minutë e çdo sekondë të cdo performance që kam dhënë në “The Voice”, e kam ndjerë sepse e kam bëre me shpirt e zemër dhe kam dhenë gjithmonë maksimumin.

Si do ta cilësonit bashkëpunim me Sidrit Bejlerin? Sa ju ka ndihmuar ai?


Në eksperiencën time në “ The Voice”, do të veçoja bashkëpunimin me profesor Sidrit Bejlerin, sepse unë e them me bindje që kisha fatin e madh ta kisha trajner. E falenderoj nga zemra për punën me mua dhe çdo këshillë, që më ka dhënë, sepse mendoj që jam zhvilluar shumë si këngëtar dhe kam arritur të njoh aftësi të miat vokale fal punës se tij. Kam mësuar shumë nga ai, sepse është një këngëtar që ka përfunduar një shkollë për vokal dhe gjithashtu është një këngëtar që ka një bagazh dhe experience të madhe, sa i përket muzikës.

Keni ndonjë këngëtar të preferuar?

Unë dëgjoj këngëtar dhe grupe të ndryshme, mirëpo ndër këngëtaret që më pëlqen shumë dhe që mendoj se i përshtatet edhe muzikës që unë bëj, është pa asnjë dyshim Michael Buble. Më pëlqen gjithashtu edhe grupi Coldplay.

Cila ka qënë performanca juaj më e mirë në “The Voice”?

Të them të drejtën unë nuk e di sesa mund të vlerësoj personalisht se cila performance ka qenë më e mira, mirëpo di të them që për secilën performancë timen në “ The Voice”, kam dhenë maksimumin tim dhe e kam bërë me zemër. Nga komentet që kam marr nder performancat e mia që janë pëlqyer shumë, kanë qenë ajo e Blind Audition ku këndova ‘’Run’’ të Snow Patrol, ajo e çerekfinales ku këndova ‘’You are my destiny’’ të Paul Anka. Ndërsa performanca që është pëlqyer e vlerësuar shumë si nga trajneret ashtu edhe nga publiku, ishte ajo e gjysëmfinales ku këndova këngen e të madhit Frank Sinatra, ‘’My way’’.

Si e kujtoni si eksperiencë?

 “The Voice” ishte dhe vazhdoj ta konsiderojë, si një ndër eksperiencat më të bukura që kam përjetuar deri më tani.

Jeni një djalë shumë simpatik, fansat femra duan të dinë më tepër rreth jetës suaj personale. Si është statusi juaj?

Sa i përket jetës sime personale, mund t’iu them që për momentin statusi im është single. (qesh).

(xh.k/shqiptarja.com)


  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Qëlloi të riun në Thumanë, pezullohet nga detyra drejtori i Rrugores Altin Qato

Qëlloi të riun në Thumanë, pezullohet nga detyra drejtori i Rrugores Altin Qato