TIRANE - Shkrimtari Dritëro Agolli nuk është në gjendje të mirë shëndetësore gjatë kësaj periudhe. Këtë e konfirmuan edhe dje kur tentuam ta takonim në shtëpinë e tij. Partitë në garë elektorale duhet ta kenë ndjerë nevojën e fjalës së tij në këtë fushatë të tensionuar, që po u paraprin zgjedhjeve të 23 qershorit.

Është e dhimbshme që pasojat e sëmundjes dhe duart që kanë nisur t’i dridhen, nuk e lejojnë Dritëro Agollin të marrë penën në dorë për të mbrojtur imazhin e tij, siç ka bërë sa herë i është dashur. Do të mjaftonte edhe një qortim plot humor, siç ai e ka zakon, dhe të mos lejonte asnjërin politikan të majtë apo të djathtë që të përdorte emrin e tij për efekte elektorale, siç ka bërë këto ditë Ridvan Bode gjatë fushatës së PD-së në Korçë.

Edhe një njeri i thjeshtë do të ndihej i fyer nga ky gjest, jo më një shkrimtar, gazetar dhe ish-deputet i shquar i vendit siç është Dritëro Agolli. Bashkëshortja, Sadija, nuk pranon të thotë asnjë fjalë nga goja e saj për çështjen e shtëpisë muze. Ata kanë zgjedhur heshtjen për të mbrojtur imazhin.

“Dritëroi është i sëmurë dhe nuk duam ta shqetësojmë, duke u ngatërruar me problemet e fushatës”, thotë ajo, ndërsa për shtëpinë-muze Sadije Agolli thotë se nuk ka asnjë dijeni “nëse është aprovuar apo jo si projekt Muzeor dhe deri në ç’fazë ka arritur”.

Së fundi, Sadija kërkon vetëm që ta lënë të qetë Dritëroin në këtë situatë, edhe për arsyen se gjendja e tij jo e mirë shëndetësore mund të përkeqësohet nga shqetësimet emocionale që mund t’i vinë nëse debatohet për të publikisht.

E kot këmbëngulja për një takim delikat në shtëpi, sepse edhe fqinjët na bindin se nuk është mirë dhe tregojnë se “e shohim Sadijen duke u munduar lart e poshtë që kujdeset për shëndetin e tij”.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 24.05.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)