Dritan Hajro:Vëllai im socialist?
PS nuk kandidon më të majtë

Dritan Hajro:Vëllai im socialist?<br />PS nuk kandidon më të majtë
Dritan Hajro nuk kompleksohet nga fakti që vëllai i tij ka qenë një deputet i Partisë Socialiste, teksa në emër të opozitës kërkon të drejtojë bashkinë e Kolonjës. Në një intervistë për Shqiptarja.com ai thotë se PS nuk kandidon më të majtë, por demokratë që i konverton në rilindas. Hajro thotë se nuk ka për rival mjekun Ilia Selfo, por zëvendës kryeministrin Niko Peleshi. Teksa flet për varfërinë në zonën e tij, Dritani ngel një shqetësim që thotë se e ka konstatuar tani gjatë fushatës elektorale. “Ndoshta ia vlen të përmend këtu që qindra grumbullues bimësh medicinale, më janë ankuar dhe më kanë bërë me dije gjatë këtyre javëve të fushatës elektorale, se nuk kanë marrë ende lekët për bimët që kanë mbledhur dhe dorëzuar, tek drejtues të lartë të PS në Kolonjë, që operojnë si sipërmarrës në këtë sektor. Lekë të punës, mundit dhe djersës së tyre ua kanë borxh disa njerëz që sot u kërkojnë votën”,-thotë Hajro.

Z.Hajro, ju tashmë jeni në garë për kryetar bashkie në Kolonjë. Pse një jurist si ju, joshet nga politika dhe kthehet nga Tirana në Kolonjë për të kandiduar?
Një jurist, një kolonjar, një profesionist i çfarëdo sektori, vendos të kandidojë, jo sepse joshet, por kandidon vetëm atëherë kur nxitet dhe mbështetet nga grupime njerëzish me interesa dhe vëmendje të përbashkëta, në shërbim të një qëllimi të vetëm, që është zhvillimi i Kolonjës. Nuk kthehem nga Tirana, thjesht jeta ime vitet e fundit ndahet mes dy qytetesh, aktiviteti im sipërmarrës dhe profesional ndahet mes dy qyteteve, si dhe i shumë e shumë kolonjarëve të tjerë. Një tjetër fakt që tregon gjendjen në të cilin e kanë çuar Kolonjën. Po ju bëj me dije gjithashtu se drejtimi i Pushtetit Vendor, nuk është politikë partiake dhe as ajo politikë që kemi shpesh në mendje, kandidimi për kreun e Pushteti Vendor është në vetvete hartim dhe administrim politikash strategjike për zhvillim territorial, ekonomik dhe social.

Ishit ju që ju ofruat si kandidat z. Duka apo ndodhi e kundërta?
Kryetarit të Partisë Agrare Ambjentaliste iu propozua emri im nga një grup intelektualësh, qytetarësh dhe njerëzish të punës, kolonjarë që e duan trevën e tyre, dhe ai mes disa kandidaturash përzgjodhi emrin tim. Vlerësim dhe jo vetëm për mua dhe gjithë rrethin tim familjar dhe shoqëror.

Vëllai juaj ka qenë deputet i PS. Ju jeni anëtar i PS-së?
Po, vëllai im ka qenë deputet i Parlamentit Shqiptar, një njeri me vlera shoqërore, morale dhe politike të spikatura. Ka qenë deputet në kohë të vështira për vendin dhe shqiptarët dhe i ka shërbyer me devotshmëri dhe përkushtim Kolonjës dhe Kolonjarëve. Nuk jam anëtar i asnjë partie aktualisht, nuk kam qenë as në të shkuarën time.

Nëse do t’ju kishte kërkuar PS-ja të kandidonit, do ta pranonit?
PS-ja nuk përzgjedh më njerëz të majtë dhe socialistë që e kanë ngritur dhe mbajtur me thonj atë parti, PS-ja zgjedh tashmë ish këshilltarë të Partisë Demokratike dhe i konverton në rilindas. Pranova kandidimin pikërisht sepse nuk më zgjodhi një grupim njerëzish partiakë, të një dhe vetëm një ngjyrimi, por më propozuan intelektualë përtej partive dhe qëllimeve apo interesave të momentit. PAA është forca politike nën siglën e së cilës kandidoj, Kolonja është forca shoqërore nën siglën e së cilës angazhohem.

A e keni të vështirë të merrni vota të djathta kur keni një të shkuar të majtë?
Nuk e kam të vështirë të kërkoj dhe të bind njerëzit për të më mbështetur me votë, flas gjithmonë për njerëz të lirë në zgjedhje dhe votim. E kam të vështirë të marr votat e disa njerëzve që nuk kanë rrugë për të shkuar tek kutia e votimit. Por edhe këta, do të jenë më 20 nëntor, me vetëdije të plotë, prezent për të më mbështetur me votë, sepse duan të dalin nga skamja.

Si e vlerësoni rivalin tuaj, Ilia Selfo?
Kam idenë që ish Këshilltari i PD, sot rilindas dhe kundërshtari im nuk është i dukshëm, i shqueshëm, nuk e shoh askund, për pasojë më mungon mundësia për ta njohur dhe vlerësuar. Por mund të vlerësoj zv.kryeministrin i cili po garon me mua në Kolonjë dhe vlerësoj se Kolonjarët nuk do e votojnë korçarin e serenatave, por do e përcjellin me ison e bukur të këngës burrërore kolonjare.

Kush po e drejton fushatën tuaj elektorale?
Fushatën time po e drejtojnë nevojat e këtij populli të lënë në harresë dhe të izoluar, skamja dhe papunësia në këtë xhep të Shqipërisë, rreziku nga zbrazja demografike.

A keni filluar të formësoni premtimet tuaja elektorale? Cilat janë ato, nëse i keni?
Një grup specialistësh dhe ekspertësh po punojnë në bashkëpunim të afërt me vendalinjtë, dhe kemi hartuar një Plan Strategjik Zhvillimi, për të cilin kam bindjen që është një Plan konkret, real dhe i zbatueshëm. Sigurisht puna e parë është ndërtimi i ujësjellësit dhe rrjetit të kanalizimeve për ujin e pijshëm në qytetin e Ersekës dhe në qytetin e Leskovikut. Përgjatë dy viteve të parë të mandatit të ngelur, mes Partneritetit Publik - Privat do të hapim 350 vende të reja pune. Do të mbështesim me subvencione fermerët dhe blegtorët e Kolonjës. Do të realizojmë/bëjmë një investim të fuqishëm, sërsih mes Partneritetit Publik - Privat (kontrata është mbyllur në parim) në sektorin e grumbullimit dhe shitjes së bimëve medicinale, një sektor që angazhon një përqindje të lartë të popullsisë dhe i siguron asaj të ardhura të konsiderueshme. (Ndoshta ia vlen të përmend këtu që qindra grumbullues bimësh medicinale, më janë ankuar dhe më kanë bërë me dije gjatë këtyre javëve të fushatës elektorale, se nuk kanë marrë ende lekët për bimët që kanë mbledhur dhe dorëzuar, tek drejtues të lartë të PS në Kolonjë, që operojnë si sipërmarrës në këtë sektor. Lekë të punës, mundit dhe djersës së tyre ua kanë borxh disa njerëz që sot u kërkojnë votën.)

Në Tiranë nuk vjen thuajse asnjë fjalë për çfarë po ndodh në Kolonjë. Është një pakt mes ju dy kandidatëve për të pasur një fushatë kaq qytetare?
Heshtja në këtë rast nuk është qytetari, është zgjedhje. Pakt mes kundërshtarësh nuk mund të ketë, me mua jo! Dua t'ju theksoj se fushata ime është futur në odat dhe hauret e varfërisë, monopateve dhe skutave të harruara, me njerëz në mbijetesë. Çfarë mund të shikoni ju në Tiranë? E çfarë t'ju tregoj unë nga Kolonja? Ndërsa kandidatin kundërshtar e keni mediatik, e keni prezent, mund t'ju them se e gjeni edhe në kanal televizioni kabllor, ku shfaq dhe përsërit takime me regji dhe skenografi. Më pas: a nuk e ndjeni ju në Tiranë mungesën e zv.kryeministrit?!

Do ta njihni rezultatin në rast se humbni?
Kolonjarët janë burra dhe gra që njohin vetëm fitoren. Çdo rezultat i arritur do të jetë i imi dhe i kolonjarëve.

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

 

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë