Një kontakt i dorës së parë në Stamboll duket se ka qenë dhe burimi dhe shitësi i heroinës së pastër që siguronte Ilir Shehaj me Anoril Canin. Hetimet kanë zbuluar se droga vinte nëpërmjet Kosovës nëpërmjet shoferëve kosovarë të cilët rezultojnë të punësuar për disa kompani transporti por edhe për kompani import-eksporti. Heroina vinte në Tiranë më pas një pjesë e saj magazinohej në Vorë. Anoril Cani është dokumentuar se ka bërë disa rrugë nga Vora drejt elbasanit me automjetin e tij duke transportuar heroinën. Nga ana tjetër grupi duket se ka hyrë në kontakte dhe për trafikun e kokainës. Hetimet e policisë kanë zbuluar se kokaina sigurohej e dorës së parë nëpërmjet një kontakti grek i cili e siguronte falë lidhjeve me narkotrafikantë kolumbianë të përqëndruar në Amsterdam. Mësohet se SHKB-ja ka nën hetim dhe një zyrtar të lartë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë si bashkëpunëtor dhe si një ndër krerët e këtij grupi. Ndaj tij ka më pak prova dhe indicie që vërtetojnë përfshirjen pasi ai ka shmangur çdo kontakt direkt me trafikantët por mbante kontakte të rregullta dhe të kombinuara me Anoril Canin. Policia dyshon se Cani ka hyrë në ortakëri me personat e tujerë të arrestuar përpara tre vitesh dhe në këto vite grupi ka shtuar dhe shumëfishuar ngarkesat e drogës që trafikonte pasi Cani ka ofruar një garanci dhe siguri maksimale për sa i takon mbështetjes dhe imuniteti nga hetimet apo përgjimet e efektivëve dhe kolegëve të tij të antidrogës. Ky është operacioni më i madh antidrogë i realizuar në dekadën e fundit.

(sg/shqiptarja.com)