TIRANË- Brenda dy javësh, agjentët e Antidrogës, kanë goditur dy raste të trafikut të kanabisit me postë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Tiranë. Siç shihet edhe në pamje, droga e cilësisë së lartë ishte e fshehur brenda kutive postare dhe sipas policisë, ka mbërritur në vendin tonë pas një porosie të bërë nga Tirana.
Droga është e ndarë në disa pako, ndërsa një prej tyre duket se është e mbështjellë me mbishkrimin ‘Premium’. Pas sekuestrimit të 3 kg e 200 gramë kanabis, dy të rinj kanë rënë në pranga nga policia, Jurgest Luzi, 27 vjeç, dhe Skënder Vata, 24 vjeç, të dy banues në Kamëz.
Burime për gazetarin e Report Tv, Sokol Dema bëjnë me dije se Skënder Vata dyshohet se ka qenë organizatori i skemës së futjes së drogës me postë. Vata kishte përfshirë edhe Jurgest Luzin, ku ky i fundit kishte rolin për të marrë lëndën narkotike nga posta. Pakoja është dërguar me një emër të një personi tjetër me origjinë nga qyteti i Korçës, person i cili po verifikohet gjithashtu nga Antidroga nëse është apo jo i përfshirë në këtë skemë.
"Këta shtetas dyshohet se kanë trafikuar lëndë narkotike me përqindje të lartë THC, nga ShBA në Shqipëri, me anë të shërbimit postar. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 3 kg e 200 gramë cannabis sativa, me përqindje të lartë THC, e ndarë në pako, shuma parash dhe celularët e shtetasve të arrestuar", njofton policia.
Përse porositet nga SHBA në Tiranë?
Kjo skemë e tillë ngre edhe pikëpyetjen se përse droga porositet përtej oqeanit?! Kanabis kultivohet masivisht edhe në malet tona, por nuk bëhet fjalë për këtë lloj varieteti. Ekspertët thonë se kanabisi me përmbajtje të lartë THC është i një cilësie shumë të lartë, ndër llojet më “premium” të kësaj lënde narkotike dhe kërkesat e konsumatorëve në Tiranë dhe jo vetëm janë gjithnjë e në rritje, pasi ka efekte më të larta pas përdorimit, si përgjumje, eufori dhe qetësues më i mirë i dhimbjeve.
Çmime marramendëse kur shitet në Shqipëri
Kanabisi që vjen nga SHBA është i destinuar për tregun vendas, për shitje, dhe vetëm një gram kap vlerën e 50 eurove në treg. Burime bëjnë me dije se lënda narkotike blihet me çmim të ulët në SHBA, me 10 mijë dollarë kilogrami, por kur sillet në vendin tonë shitet me vlerë marramendëse që shkon deri në 50 mijë euro kilogrami.
Nëse ndalemi në rastin e goditur sot dhe bëjmë një llogari të thjeshtë, nëse kjo drogë do tregtohej kapte çmim marramendës në treg. 3 kg e 200 gramë u sekuestrua, që me një llogari të thjeshtë porositësit kanë paguar rreth 30 mijë dollarë për ta blerë. Por nëse do shitej në vendin tonë, droga mund të kapte vlerën rreth 150 mijë euro, në rastin kur ajo do shitej me vlerat maksimale, pra 50 mijë euro 1 kg kanabis.
Skema e dytë brenda dy javësh
Sjellja e kanabisit me përmbajtje të lartë THC nga SHBA është bërë fenomen në muajt e fundit dhe një shqetësim i vazhdueshëm për autoritetet, të cilat kanë shtuar kontrollet nëpër posta. E njëjta skemë u godit edhe më 20 mars.
Përmes kutive postare ishte trafikuar, nga SHBA në Tiranë, 1 kg e 600 gr kanabis. Një 27-vjeçar ra në pranga, Ilir Sefa, ndërsa bashkëpunëtori i tij u shpall në kërkim. Në të dyja rastet, droga e porositur ishte e cilësisë ‘premuim’, me THC të lartë, përbërësi kryesor psikoaktiv i kanabisit.
Droga e sekuestruar
Ministri I Brendshëm Taulant Balla bën publike rezultatet e operacionit “Tempulli” ndërmarrë prej shtatorit 2023.
Bëhet fjalë për 1100 persona të arrestuar/të proceduar në tentativë për shitje të lëndëve narkotike, rreth 1600 kg kanabnis, mbi 18 kg kokainë e 12 kg heroine të sekuestruara.
Ministri Balla premton se do të vijojë aksioni ndërsa përgëzon dhe operacionin e fundit kur u zbulua droga e ardhur nga SHBA.
"Përgëzime Policisë dhe Prokurorisë Tiranë për goditjet sistematike të tentativave për futje të lëndëve narkotike nga jashtë vendit përmes postës. Do të bëjmë gjithçka të përmbushim pritshmërintë e prindërve dhe gjyshërve që tempulli i dijes, shkolla, të mbetet e sigurtë dhe mos të lejojmë depërtimin e fenomeneve negative që cenojnë jetën dhe shëndetin e tyre"
Report Tv ka siguruar foton e dy të rinjve që u arrestuan, pasi policia goditi skemën e trafikut të kanabisit me drogë nga Kalifornia në Tiranë.
Skënder Vata dyshohet se ka qenë organizatori i skemës së futjes së drogës me postë. Vata kishte përfshirë Jurgest Luzin, ku ky i fundit kishte rolin për të marrë lëndën narkotike nga posta. Pakoja është dërguar me një emër të një personi tjetër me origjinë nga qyteti i Korçës, person i cili po verifikohet gjithashtu nga Antidroga nëse është apo jo i përfshirë në këtë skemë.
Njoftimi i plotë i Policisë së Tiranës
Finalizohet pas një pune të mirëfilltë hetimore, operacioni policor i koduar “California”. Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Doganor në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, në drejtimin e Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë. Goditet një rast i trafikimit të lëndës narkotike cannabis sativa, nga ShBA, në vendin tonë, duke përdorur shërbimin postar.
Vihen në pranga 2 shtetas. Sekuestrohen 3 kg e 200 gramë cannabis sativa, me përqindje të lartë THC, e ndarë në pako, shuma parash dhe 2 celularë.
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Doganor në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, në kuadër të procedimit penal me metoda speciale hetimore, nr. 3748 të Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, pas një pune të mirëfilltë hetimore, kanë finalizuar operacionin policor të koduar "California".
Si rezultat u godit një rast i trafikimit të lëndëve narkotike, nga ShBA në Shqipëri, me anë të shërbimit postar, dhe u vunë në pranga shtetasit Skënder Vata, 27 vjeç dhe Jurgest Luzi, 24 vjeç, të dy banues në Kamëz. Këta shtetas dyshohet se kanë trafikuar lëndë narkotike me përqindje të lartë THC, nga ShBA në Shqipëri, me anë të shërbimit postar.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 3 kg e 200 gramë cannabis sativa, me përqindje të lartë THC, e ndarë në pako, shuma parash dhe celularët e shtetasve të arrestuar. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.
kjo nxjerr nje te vertete tjeter, qe kanabisi i shqiperise me perjashtim te cmimit andej nuk ka treg. Se dyti, jo te gjitha drogat jane te demshme dhe duhet vetem nje rruge me e sigurte importimi dhe eksporti si per te gjitha kimikatet e tjera edhe ato per industrine ushqimore per nje konsum te varferuar ne sasite dhe masat e perdorura si ingredient stimulues sepse kjo menyre e pakontrolluar eshte vdekjeprorese per shkak te overdozes
Përgjigju