Basha akuzoi sërish mazhorancën se ka pasur dijeni pë trafikun e drogës nga ushtria ndërsa tha se opozita do të bëjë çështë e mundur që autorët të dalin para drejtësisë. Ai ka injoruar plotësisht deklaratat e kreut të SHISH, i cili dy ditë më parë me një komunikatë në faqen online sqaroi se për çeshtjen e trafikut të drogës nuk kishte asnjë provë, por thjeshtë vetëm informacione.
"Gjatë dy javëve të fundit opinioni publik u fokusua në skandalin e trafikut të drogës nga ajri dhe toka. Beteja jonë, dhe sovraniteti i popullit njohu zhvillim në drejtim të kësaj ngjarje. Kjo është fitore e opozitarizmit. Detyra jonë si opozitë është për të vënë përpara drejtësisë autorët. Ne do të angazhojmë në këtë hetim deputetët më të mirë, do t'i qëndrojmë në kokë këtij hetimi të vetëdijshëm se kë kemi përballë, të vetëdijshëm se qeveria po investon në bllokim të hetimeve. Ata e kanë me gjurmën ne e kemi me ujkun. Tani po thonë se ka patur informacione po jo prova. Një përgjegjësi e përgjegjshme nuk mund të fliste kurrë kështu. Vetë informacioni është provë, aty ka qenë po e kanë lënë të livadhisë. A mund të na thonë se çfarë është sporti që bëjnë këta avionë. Edhe kjo provë do të dalë. Le të nisë hetimi parlamentar." u shpreh Basha.
Duke vazhduar më tej në fjalën e tij, kreu i PD u ndal edhe tek situata ekonomike, ku akuzoi qeverinë për një situatë sipas tij të rënduar ekonomike krahasuar me një vit më parë.
"Ekonomia ka qenë kryefjalë e opozitarizmit tonë. Qeveria po bën çmos të krijojë realitetin e një suksesi fiktiv me regji qendrore. Rama ka harruar se ne ekonomi kjo nuk vlen. Aq sa mund të mbulohet dielli me shoshë aq mund të mbulohet ekonomia me llafe. Detyra jonë është të nxjerrim në pah me shifra dështimin e qeverisë. Ngritën në qiell taksat ndërkohë u thellua borxhin publik. Çtë reja kanë nxjerrë? Shifrat flasin qartë se spiralja e përkeqësimit po shkon në pikjatë të drejtë. Të ardhurat nga tatimet për periudhën janar-mars janë 12.1% më pak se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Të ardhurat nga sigurimet shoqërore rezultojnë 250 milionë më pak se plani i qeverisë, dhe 8.5% më pak se një vit më parë. Për këtë shifër janë dy mundësi, ose punësimi ka rënë në 8.5% ose evazioni tatimor është rritur me 8.5%. Për të përndjekurit politikë qeveria planifikonte 200 milionë lekë shpenzime, por nuk është shpenzuar asnjë qindarkë. Investimet publike rezultojnë 5.6 miliardë lekë më pak se një vit më parë." u shpreh kreu i PD-së
Sipas Bashës shqiptarët duhet të përgatiten për një ekonomi të rënduar ndërsa shtoi se opozita do të denoncojë paaftësinë e qeverisë.
"Edhe të ardhurat që mbledhin avullojnë sapo i mbledhin. Si? Gjatë javës do të bëhet publike se si. E ardhmja duket gjithnjë e më pak e sigurtë, shqiptarët të përgatiten për skenarë ekonomikë të rëndë që nuk e kanë parë deri më tani. Detyra jonë si opozitë është denoncimi i paaftësisë së qeverisë." përfundoi Basha
Redaksia Online
(Gre.M/e.c/Shqiptarja.com)