TIRANE - Akuzat publike për përfshirjen e ushtrisë në trafikimin e lëndëve narkotike, tashmë deputeti i opozitës Arben Imami nëse ka prova duhet t’i depozitojë pranë Prokurorisë.

Kjo është kërkesa zyrtare që kryeprokurori Adriatik Llalla ka bërë për deputetin e opozitës, i cili prej disa ditësh nga foltorja e parlamentit ka deklaruar se ka prova e fakte për akuzat që bën.

Zyra e shtypit pranë Prokurorisë së Përgjithshme bën me dije, se kërkesa zyrtare për depozitim provash në lidhje me akuzat i është dërguar ditën e premte, dhe jo vetëm Imamit. Shkresa zyrtare është dërguar dhe në adresë të agjensive ligjzbatuese të shtetit shqiptar, përfshi këtu Shërbimin Informativ Shtetëror si dhe atë të ushtrisë.

Për këto akuza ende nuk ka nisur një hetim, por ndodhen në fazë verifikimi, deklaron zyra e shtypit pranë kryeprokurorit e pyetur nga A1Report, duke sqaruar gjithashtu se pas përgjigjeve të këtyre shkresave të dërguara do të vendoset dhe për fillimin apo jo të hetimeve.
 
META: MBESHTES PROKURORINE NE  ZBARDHJEN E ÇESHTJES
Kreu i Kuvendit, Ilir Meta ka kërkuar më shumë përgjegjshmëri dhe “përmbajtje” për akuzat drejtuar Forcave të Armatosura për trafik droge.
 
Në përgjigje të interesit për mediat, Meta tha se akuzat janë bërë një problem i rëndë referuar shumë edhe shumë batutave që qarkullojnë në mediat sociale për trafikun e drogës me avionë.
 
“Kërkoj më shumë sjellje institucionale më të përgjegjshme dhe më të përmbajtur”,- u shpreh Meta.

Pyetjes nëse ekzistojë realisht prova apo dyshime për përfshirje të Forcave të Armatosura në trafikun e drogës. Meta u përgjigj:

“Mendoj se është momenti për të mbështetur hetimin e Prokurorisë së përgjithshme për zbardhej e çështjes. Kjo është rruga më e mirë edhe për ata që janë të shqetësuar për trafik droge”. 

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)