Dronët vazhdojnë të fluturojnë mbi kryeqytetin francez Parisin duke vënë në alarm policinë franceze. Të paktën 5 dronë janë parë të fluturojnë për të dytën natë radhazi mbi objekte të rëndësishme, çka ka rritur nivelin e alarmit për sulme të mundshme terroriste.

Sipas mediave franceze dronët janë parë pak para mesnatës së mbrëmshme, 3 pranë muzeut ushtarak dhe sheshit Konkord, ndërsa dy të tjerë pranë portave të qytetit të vjetër.

Fluturimi gjatë natës është I jashtëligjshëm në Paris dhe nevojitet autorizim, ndërsa policia franceze ende nuk ka asnjë informacion se kush I komandon këta dronë. Megjithatë, disa prej dronëve që u panë natën e parë kanë mundur të filmohen dhe tashmë një ekip me 10 hetues do të analizojë pamjet filmike. Dronët e vegjël nuk janë të shtrenjtë dhe blihen lehtësisht por shfaqja e tyre muajt e fundit mbi objekte të rëndësishme ka shqetësuar autoritetet franceze.

Muajin e kaluar një dron u pikas mbi pallatin presidencial Elize, dhe në tetor të vitit të kaluar disa të tillë shënjestruan impiantet bërthamore të Francës. Dronët janë të aftë të realizojnë xhirime cilësore nga ajri, por nuk dihet nëse ata që I komandojnë përbëjnë kërcënim për sigurinë apo I përdorin thjesht për argëtim.



Redaksia Online
(E.C/Shqiptarja.com)