Policia Rrugore e Shkodrës ka shtuar kontrollet në të gjitha akset e qarkut, duke përdorur dronë, radarë dhe makina inteligjente për të parandaluar aksidentet dhe për të monitoruar trafikun. Si rezultat i kontrolleve të zhvilluara gjatë dy javëve të fundit, janë arrestuar 2 drejtues mjetesh, 3 të tjerë janë proceduar penalisht për drejtim të parregullt të automjeteve, ndërsa 9 leje drejtimi janë pezulluar.

Gjatë kësaj periudhe, policia ka vendosur gjithsej 2268 gjoba për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor. Shkeljet më të shumta lidhen me parkimin ose qëndrimin e gabuar, për të cilat janë vendosur 1295 gjoba.

Po ashtu, janë ndëshkuar 237 drejtues mjetesh për tejkalim të normave të shpejtësisë, 102 për parakalime të gabuara, 104 drejtues motomjetesh për mosvendosjen e kaskës mbrojtëse, 80 për mosvendosjen e rripit të sigurimit, 37 për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit, 36 për qarkullim me xhama të riveshur dhe 9 për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit. Ndërkohë, 368 masa administrative janë vendosur për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.

Policia bën të ditur se kontrollet do të vijojnë në të gjitha akset urbane, interurbane dhe rurale të qarkut, ndërsa u bën apel drejtuesve të mjeteve të respektojnë rregullat e qarkullimit për të parandaluar aksidentet dhe për të rritur sigurinë rrugore. Gjithashtu, qytetarët ftohen të denoncojnë çdo shkelje në numrin pa pagesë 112.