Një sulm ukrainas me dron në një resort turistik në bregun rus të Detit të Zi dhe një tjetër në Krimenë e aneksuar kanë lënë të paktën 11 të vrarë dhe dhjetëra të plagosur, sipas autoriteteve ruse.

Moska tha se shtatë persona, mes tyre tre fëmijë, humbën jetën në resortin bregdetar, ndërsa rreth 40 të tjerë u plagosën. Sipas autoriteteve ruse, droni goditi një zonë të mbushur me pushues dhe sulmi ishte i qëllimshëm ndaj civilëve.

Video të publikuara në rrjetet sociale, të verifikuara nga Reuters, tregojnë atë që duket të jetë një dron duke goditur zonën e plazhit, i shoqëruar nga një shpërthim i fortë.

Katër persona të tjerë u vranë në një sulm të veçantë në Krimenë e aneksuar nga Rusia.

Nga ana tjetër, autoritetet ukrainase thanë se një sulm rus në qytetin ukrainas të Krivi Rih vrau tre persona. Sipas tyre, nga goditja shpërtheu një zjarr dhe u dëmtuan një pikë karburanti dhe disa automjete.

Ukraina kryen rregullisht sulme me dronë ndaj territorit rus, duke i cilësuar si kundërpërgjigje ndaj sulmeve që Rusia vazhdon të kryejë me dronë dhe raketa ndaj qyteteve ukrainase.