Dubai 'toka e premtuar' dynden
shqiptarët, 500 aplikime në javë

Dubai 'toka e premtuar' dynden<br />shqiptarët, 500 aplikime në javë
Duket se të rinjtë, të sapodiplomuar ose jo, të gjendur përballë fatit që nga njëra anë, tregu i punës po rrudhet dita-­ditës dhe nga ana tjetër, eksperienca u mungon, shohin si një alternativë të mirë kontratat e punës jashtë, ku ato në Emiratet e Bashkuara Arabe po lulëzojnë.

Agjencitë: kemi 500 aplikime në javë nga Shqipëria…

Briseida Sinaj, 29 vjeçare, prej një viti jeton e punon në Dubai. Aplikoi për punë, pas një rekomandimi, direkt në një kompani angleze, Chris Garrod, e specializuar në arredimin e brendshëm të hoteleve. Pasi kompania e mori në telefon, realizoi intervistën, dha një provim dhe u punësua si asistente ekzekutive e drejtorit rajonal të Azisë dhe Lindjes së Mesme.

Briseida shprehet mjaft e kënaqur me punën e saj, jo vetëm për të ardhurat, që janë disa herë më të larta se ato që merrte në Shqipëri si shefe buxheti, por dhe vlerësimi dhe mundësitë për të ecur në karrierë, pa pasur miq, siç ndodh rëndom në Shqipëri. Ajo pohon se ka mjaft individë nga Shqipëria, që po vijnë në Dubai në kërkim të një alternative dhe pune më të paguar në atë që po quhet si Amerika e Lindjes dhe që vetëm vitet e fundit është “zbuluar” nga shqiptarët.

Si pozitiv përmend edhe faktin që diploma shqiptare njihet në Dubai. Të punësuarit janë nga mjekë e dentistë e deri tek kamarierë. Ata që vijnë përmes agjencive kanë një pagë mesatarisht 1000­-1500 USD në muaj, nëse aplikon direkt tek një kompani, ka më shumë shanse për një pagë më të lartë. Është shumë e vështirë të marrësh pashaportë, apo letra qëndrimi, pasi jepen vetëm viza pune.

Moti është i nxehtë dhe tre muajt e verës ka pak kontakte me ajrin direkt; muajt e tjerë janë si vera në Shqipëri. Ndryshe nga perceptimi i krijuar për një vend mysliman, Briseida thotë se në Dubai femrat e huaja nuk janë të detyruara të mbulohen dhe mund të shohësh nga të gjitha. Megjithëse Dubai të jep mundësinë të kesh një jetë luksi, përsëri Shqipëria i mungon…

Agjencitë: Hoteleria ofron më shumë mundësi

Hoteleria duket si mundësia më e mirë për të gjithë të rinjtë që aplikojnë për punësim jashtë vendit dhe ku vendet si Arabia Saudite po joshin me pagat e majme dhe kontratat e leverdishme. Ermal Jauri, nga “Europe Agency”, thotë se pjesa më e madhe e kontratave për jashtë janë në sektorë të hotelerisë, duke filluar nga shërbimet por edhe vende të tjera që kërkojnë profesionalitet më të lartë.

Një kontratë në fushën e hotelerisë, si ndihmës, recepsionist, profesionist i marrëdhënieve me klientët, marketing e deri te menaxher, paga mujore neto nis nga 700 dollarë deri te 4000 për pozicionet e larta. I pyetur se pse të rinjtë janë të interesuar për vende të tilla, ai përgjigjet se “në kushtet ku në Shqipëri një të sapodiplomuari i kërkohet llogari se pse nuk ka përvojë, jashtë mendësia është ndryshe.

Programet e punësimit nuk kërkojnë eksperiencë të veçantë (ndryshe është në vende vakante tejet profesionale), ndaj dhe të rinjtë tërhiqen nga shërbimet në hoteleri, ku dhe pjesa më e madhe e tyre kanë një bazë të mirë anglishteje, por që njëkohësisht trajnohet paraprakisht nga ne si agjenci përpara se të dërgohet jashtë, ku dhe merr një tjetër formim trajnues, para nisjes së punës”,­ përfundon Jauri.

Në mënyrë të veçantë, ai shtoi se të rinjtë kërkojnë për mundësi jashtë, të pakënaqur me nivelin e pagave në Shqipëri, si dhe të nxitur nga fakti se një agjenci e kësaj kategorie realizon edhe kontratat me kompanitë jashtë, nuk është thjesht “hapësirë” ekspozimi i vendeve vakante. Aplikimet në Shqipëri Sipas statistikave të një agjencie të punësimit “Europa Agency”, në të tria zyrat në rajon (Tiranë, Podgoricë, Prishtinë) bëhen 700­800 aplikime në javë.

Nga këto, 500 janë aplikues nga Shqipëria. Ata shtojnë se n.q.s të 500 këta janë të mirë dhe përzgjidhen, të gjithë mund të punësohen, pasi kapaciteti i ofruar është i madh, vendet e lira të punës janë të shumta. Kudo jashtë, por më tepër, sipas tyre në Arabinë Saudite “Në Tiranë, ne bëjmë minimalisht dy prezantime në javë, pra dy persona të përzgjedhur pas aplikimit për të kryer intervistën online me kompaninë jashtë.

Sipas të dhënave, mbi 70% e aplikantëve që përzgjidhen për të kryer intervistën përzgjidhen për vendin e punës dhe vijojnë më tej fazat e punësimit”,­ thekson Ermal Jauri.

Pozicionet menaxheriale, ja eksperienca e një shqiptari

Erand Saliaj, punonjës prej vitesh në një ndër bankat kryesore në vend, “përqafon” idenë e të punuarit jashtë, sapo ai shikon një mundësi të artë, nga paga dhe përvoja profesionale. Ai aplikon dhe pasi kalon të gjithë procedurat, përzgjidhet si menaxher financiar i një kompanie të njohur ndërtimi në Dubai dhe nis punë në qershor të këtij viti.

Duke qenë se paga mujore e një pozicioni të tillë prestigjioz përfshin atë të një viti në vendin tonë, pas kalimit të të gjitha etapave, ai vendos të shpërngulet në vendin e nxehtë, së bashku me bashkëshorten e tij, pas fitimit të një kontrate të garantuar 2-­vjeçare.

Për më tej, ai thotë se ende nuk e di se si do të vijojë, por qëllimi është krijimi i një përvoje shumë të mirë, që Shqipëria nuk e ofron dhe fitime të mira, kundrejt faktit se bazën e jetesës e ke të paguar (banesën, udhëtimin në punë etj). /Monitor/
dubai
Redaksia Online
(m.p/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Censi 2023, popullsia u tkurr me 419 mijë në 12 vite, cili është shkaku?



×

Lajmi i fundit

Ministri Hasani 'përplaset' me Lajçak: Përqëndrohuni tek dialogu Kosovë-Serbi, do jemi të lumtur nëse do ketë rezultate

Ministri Hasani 'përplaset' me Lajçak: Përqëndrohuni tek dialogu Kosovë-Serbi, do jemi të lumtur nëse do ketë rezultate