Federata Shqiptare e Futbollit zhvilloi punimet e Asamblesë së Përgjithshme për vitin 2015 ku analizoi punën gjatë vitit 2014, miratoi ndryshimet në disa pika të neneve të statutit dhe disiplinës sportive, analizoi ecurinë e Komitetit të Arbitrave si dhe miratoi projekt buxhetin e vitit 2015.

Në fjalën e tij Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit Armand Duka para përfaqësuesve të klubeve dhe mediave u shpreh se futbolli shqiptar ka shënuar rritje gjatë vitit 2014. “Rritja e investimeve, loja e kombëtares gjatë eliminatoreve të kampionatit Europian për “Francë 2016” dhe gara në Superiore ka bërë që të rritet vëmendja ndaj futbollit shqiptar”. Por gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë së futbollit shqiptar vendosi gishtin edhe në plagën e hapur të trukimeve.

“Duhet t'i themi ndal këtij fenomeni negativ”. Në vazhdim të fjalës së tij Duka është ndalur edhe te infrastruktura dhe saktësisht te ndërtimi i stadiumeve. “Investimi për stadiumin në Tiranë kërkon rreth 50 mln Euro. Gjatë muajve në vijim do të nisë puna për realizimin e rikonstruksionit të stadiumit të Shkodrës "Loro Boriçi" që do të jetë një investim i përbashkët me Qeverinë Shqiptare”.

Në fund Presidenti i FSHF, foli edhe për incidentin me kombëtaren në ndeshjen me Serbinë në Beograd. “Mendoj  se e menaxhuam mirë atë që ndodhi në Serbi. Pavarësisht kritikave, ne kemi zbatuar rregullat duke mbrojtur simbolet tona kombëtare".


d.b/shqiptarja.com