Dule: Qeveria largon minoritetin
grek nga Himara, të ndërhyjë PD

Dule: Qeveria largon minoritetin<br />grek nga Himara, të ndërhyjë PD
TIRANE -  Kreu i Partisë Bashkimi për të Drejtat e NJeriut dhe dega e OMONIA-s në Himarë kanë bërë një reagim të fortë kundër qeverisë, të cilën e akuzojnë se po tenton të largojë komunitetin grek nga krahinë e Himarës. Përmes një deklaratë të shpërndarë për mediat, Dule dhe kreu i OMONIA-s Leonidha Papa, akuzojnë Inspektoriatin Kombëtar të Mbrotjes së Territorit se po shembin në mënyrë të jashtëligjshme ndërtesat e komunitetit minoritar - të cilin Dule e quan helen - të cilat preken nga riformimi i qendrës së qytetit të Himarës.

Në letrën e përbashkët të PBDNJ-së dhe OMONIA-s bie në sy se veç ndërhyrjes së ndërkobmëtarëve për këtë çështje, kërkohet edhe mbështetja e opozitës politike.
"Denoncojmë veprimet arbitrare dhe të jashtëligjshme të qeverisë Rama, të cilat janë shprehje e qartë e dhunës shtetërore ndaj komunitetit tonë. Me dashje apo jo kanë si qëllim te vetëm largimin e banorëve nga vendlindja e tyre që ka si pasojë ndryshimin demografik te krahinës së Himarës, gjë që bie ndesh me parimet e të Drejtave te Njeriut, “Konventës Kuadër” dhe Realitetit Evropian ku Shqipëria do të integrohet. Dega PBDNJ dhe OMONIA Himarë i bëjnë thirrje Kryeministrit e njëkohësisht i kërkojmë ndërhyrjen opozitës dhe organizatave ndërkombëtare të marrin iniciativat e duhura për të frenuar investimin në fjalë i cili kryhet vetëm për interesa të ngushta ekonomike dhe fsheh qëllime të mbrapshta ndaj komunitetit himarjot dhe propozojmë se një investim i tillë duhet t’i nënshtrohet një diskutimi të gjerë me qytetarët dhe grupet e interesit në qytetin e Himarës. Kjo është mënyra e vetme për realizimin me impakt pozitiv mjedisor dhe të qëndrueshëm të këtij investimi", thuhet në deklaratë.

Ditët e fundit Vangjel Dule është takuar me liderin e opozitës Lulzim Basha në selinë e PD-së, ndërsa vetë brenda opozitës pati prononcime se një aleancë e re me PBDNJ-në do të vlente për fitoren e së djathtës.

Sipas Dules, qendra është riformuar njëherë në vitin 200 me një investim prej 1.9 milion dollarë, ndërsa në vitin 2015 do të shpenzohen për të njëjtin investim përsëri 2.5 milion dollarë të tjera.

Deklarata e plote
Në mënyre të përsëritur, me veprime selektive nga ana e qeverisë, shkatërrohen objekte të ligjshme në Himarë, ku dora e ekzekutimit IKMT vepron në mënyrë të kundraligjshme, të cilat kanë vetëm një qëllim: të dëmtojnë në mënyrë të përsëritur dhe të pakorrigjueshme veprimtarinë ekonomike dhe demografinë e komunitetit helen në Himarë.

Me datë 25/01/2016  falangat e IKMT-së shkatërruan me veprime të jashtëligjshme tre objekte të cilat ushtronin aktivitetin e tyre ekonomik mbi 30 vjet, me justifikimin se do të behët një investim për riformimin e qendrës së qytetit të Himarës.

Theksojmë se qendra e qytetit të Himarës në vitin 2002 me kryetar Viktor Maton dhe investitor firmën “2K”, për riformimin e saj ishte realizuar një investim prej rreth 1.9 milion dollarë, ndërsa në vitin 2015 do të shpenzohen për të njëjtin investim përsëri 2.5 milion dollarë të tjera.

Mbështetur në ligjin 119/2014 për të drejtën e informimit publik dhe 8652 për organizimin dhe funksionin e qeverisjes vendore, në datën 03/11/2015 me Nr. 2600 Prot. subjekti ynë politik i kërkon informacion Bashkisë Himarë. Bashkia Himarë me shkresë  dt .03/12/2015 Nr. 2600 Prot. përgjigjet duke vënë në dispozicion vetëm plan-idenë e investimit ne fjalë dhe jo studimin e plotë  sikurse parashikon ligji i sipërpërmendur. Megjithëse kërkesa jonë në datën 21/01/2016 me Nr. Postar: RR182521048AA është ripërsëritur, Bashkia Himarë s‘ka kthyer asnjë përgjigje.

Mosvënia në dispozicion e dokumentacionit të plotë për informimin tregon qartë se prapa shprehjes “Investime për turizmin” fshihen mendime dashakeqe të qeverisë që kanë si qëllim vetëm dëmtimin e veprimtarisë ekonomike dhe shoqërore të objekteve që janë në pronësi të individëve që i përkasin komunitetit helen, sikurse ndodhi edhe në Dhërmi në vitin 2014 ku u prishën 7 objekte, megjithëse me leje ndërtimi.

Të gjitha këto ndodhin në një kohë kur deputeti i zonës Koço Kokëdhima, njeriu i besuar dhe fuqiplotë i Kryeministrit Rama ndërton pa leje mbi 5 objekte me impakt mjedisor negativ për turizmin “për të cilin PS interesohet kaq shumë”, ku njeri prej objekteve është ndërtuar në trojet e kishës dhe askush nuk interesohet apo shqetësohet. Theksojmë se nuk është e rastësishme që investimi përfundon në objektin e Koço Kokëdhimës.  Që të bindet dikush që prishjet janë selektive, mjafton të vërejmë investimin tjetër, shëtitoren e Qeparoit, e cila devijohet për të mbrojtur objektin e paligjshëm të z. Kokëdhima, ndërtuar në breg të detit.
Për opinionin himarjot por dhe mbarë qytetar, prishjet e kryera janë të paligjshme, e para sepse objektet janë me leje ndërtimi, e dyta sepse prishjet sikurse dhe 7 objekte në Dhërmi me 2014, Kisha e Shën Thanasit në 2015 dhe tani 3 objekte në Himarë.

Praktikat e ndjekura nga IKMT bien ndesh me ligjet dhe kushtetutën e vendit sepse:

1-Ligji "Për inspektimin e ndërtimit" nuk parashikon prishje të objekteve pa vendim prishjeje. Në rastin konkret mungon vendimi i prishjes së objektit.

2- Bazuar te neni 41 i Kushtetutës, nenet 153, 608 e vijues, 640 te K. Civil, ligji nr. 8561, datë 22.12.1999 "Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private për interes publik", parashikojnë shpronësim kundrejt shpërblimit të plotë dhe paraprak të pronarit. Ne rastin konkret nuk ka patur shpërblim të plotë dhe as paraprak, pasi pronarët nuk kanë përfituar ende vlerën e shpronësimit.

3- Ka shkelje të renda të procedurës së shpronësimit, pasi kërkesa për shpronësim nga MZHU nr. 6495, date 11.12.2015 është botuar në fletoren zyrtare nr. 219 te datës 21.12.2015, ndërkohë që  VKM nr. 999, datë 09.12.2015 “Për shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rehabilitimi i shëtitores kryesore anës detit, Himarë”” është botuar në fletoren zyrtare nr. 218, datë 17.12.2015. Pra, kërkesa për shpronësime është bërë dhe botuar pas miratimit të shpronësimit. Kjo bie ndesh me nenin 16 të ligjit   8561, datë 22.12.1999 "Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim te përkohshëm të pasurisë pronë private për interes publik", që parashikon se “Ministri kompetent nuk mund të kërkojë në Këshillin e Ministrave marrjen e vendimit të shpronësimit përpara një afati njëmujor nga dita e përfundimit të procedurave dhe afateve të njoftimit të drejtpërdrejtë të pronarit që shpronësohet dhe e publikimit të kërkesës për shpronësim sipas këtij ligji”.
Pra VKM 299 dt 09/12/2015 ka qenë pa objekt në kohën që është marrë.

4- Vlera e objekteve është përcaktuar nga komisioni ngritur nga Bashkia Himarë (dhe jo nga ministria përgjegjëse siç kërkon, neni 17 i ligjit nr. 8561, date 22.12.1999). Akoma edhe sipas Udhëzimit nr. 4, date 39.09.2015 të Këshillit të Ministrave “Për miratimin e kostos mesatare të ndërtimit te banesave nga Enti Kombëtar i Banesave për vitin 2015”, qe përcakton çmimet minimale te banesave për qytetin e Himarës, edhe në rastin e banesës vlera e shpronësimit do te ishte minimalisht dyfishi i vlerës se shpronësimit te miratuar. Është e qarte se vlera e objekteve me destinacion ushtrimin e aktivitetit tregtar është shumë më e lartë.
Përfundimisht, denoncojmë veprimet arbitrare dhe të jashtëligjshme të qeverisë Rama, të cilat janë shprehje e qartë e dhunës shtetërore ndaj komunitetit tonë. Me dashje apo jo kanë si qëllim te vetëm largimin e banorëve nga vendlindja e tyre që ka si pasojë ndryshimin demografik te krahinës së Himarës, gjë që bie ndesh me parimet e të Drejtave te Njeriut, “Konventës Kuadër” dhe Realitetit Evropian ku Shqipëria do të integrohet.
Dega PBDNJ dhe OMONIA Himarë i bëjnë thirrje Kryeministrit e njëkohësisht i kërkojmë ndërhyrjen opozitës dhe organizatave ndërkombëtare të marrin iniciativat e duhura për të frenuar investimin në fjalë i cili kryhet vetëm për interesa të ngushta ekonomike dhe fsheh qëllime të mbrapshta ndaj komunitetit himarjot dhe propozojmë se një investim i tillë duhet t’i nënshtrohet një diskutimi të gjerë me qytetarët dhe grupet e interesit në qytetin e Himarës. Kjo është mënyra e vetme për realizimin me impakt pozitiv mjedisor dhe të qëndrueshëm të këtij investimi.
 

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Takimi me gratë e PD, Vokshi bëhet ‘lëmsh’ me datat: ‘Rama i urren gratë!’ Mbështetësja: Berisha është Zoti i Tokës, e marr unë plumbin e parë!

Takimi me gratë e PD, Vokshi bëhet ‘lëmsh’ me datat: ‘Rama i urren gratë!’ Mbështetësja: Berisha është Zoti i Tokës, e marr unë plumbin e parë!