Teksa i referohet mosbindjes civile e cila tashmë është kryefjalë e çdo ligjërimi të lidershipit demokrat, Duma thotë se përfaqësues të Partisë Demokratike dhe partive aleate, por edhe qytetarë, do të protestojnë përpara institucioneve si Doganat, Tatimet apo edhe Prokuroria.
"Aksioni jonë politik ka qenë protesta dhe sigurisht që aksioni do të përshkallëzohet. Aksioni mund të përshkallëzohet në natyrën që grupe individësh që janë aktorë të politikës së PD dhe aleatëve mund të shfaqen para dyerve të institucioneve, Prokurorisë, Doganave e Tatimeve ku ndodh edhe vjedhja më e madhe e pasurive publike, që tu kërkohet llogari institucionalisht. Dhe opozita e ka këtë drejtë, siç e ka këtë të drejtë në parlament", u shpreh Duma.
Pyetjes se pse opozita zgjedh të protestojë në rrugë dhe jo në Kuvend, Duma iu përgjigj: "Kjo është një logjikë që e kemi parë, se prepotenca e këtyre institucioneve është e tillë që nuk merr asgjë parasysh. Opozita duhet të bëjë rolin e vet, jo të dobët, por më të fortë. Qytetarët në këtë represion që po ndodh, po kërkojnë një opozitë gjithnjë e më të fortë. Ne po reagojmë demokratikisht, me një normalitet të plotë, duke qenë absolutisht të drejtë në kërkesat tona të cilat përfaqësojnë shtypjen e të drejtave të njerëzve. Kështu që do të ketë përshkallëzim të të drejtave të opozitës më të fortë çdo ditë, kjo është e padiskutueshme. Mosbindja është fare e thjeshtë, nëse janë shkelur të drejtat, nuk është respektuar një individ i barabartë para ligjit, atëherë patjetër që opozita do të gjejë të gjitha mënyrat e veta që të tregojë që ligji nuk është i dyfishtë, s'ka standarde të dyfishta ligji".
Ndërsa e pyetur se a ekzistojnë kushtet për qeveri teknike kur kjo mazhorancë ka më shumë se 3/5 në Kuvend, Duma tha: "T'ia lëmë kohës se sa e konsoliduar është mazhoranca, janë 80 apo jo, sepse ndonjëherë LSI largohet. Kësaj qeverisje i janë shtuar tensionet edhe brenda vetë tyre. Palët tashmë futen në territoret e njëri-tjetrit. Në të gjitha rastet ata dobësojnë njëri-tjetrin. Qëndrimi i tyre është qëndrim i një aleance me dy partnerë që dobësojnë njëri-tjetrin. Ne jemi në momentin më të mirë për të treguar se jemi alternativa e duhur."
Sa i takon skenareve të protestës së datës 17 dhjetor përpara Kuvendit dhe elementeve të dhunës, Sekretarja për Marrëdhëniet me publikun në PD, Grida Duma tha se "protestat e PD-sw s’kanë patur dhunë". "Unë besoj që, qoftë vezët, qoftë boja është simbolikë e një proteste evropiane në fillesë. 3 ose 4 gurë që u hodhën, në kushtet ku ndodhemi, kemi bërë maksimumin që kjo mos të vazhdonte".
Sipas saj, bunkeri i ndërtuar ndërmjet ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Transporteve, është provokacion. "Bunkeri është provokacion. Një shumësi veprimesh që hidhen nga qeveria për të tërhequr vëmendjen dhe hequr vëmendjen nga problemet madhore, janë të atilla. Një pjesë e tyre është dhe bunkeri".
Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)