DURRËS - Qindra besimtarë ortodoksë në Durrës festuan sot Ditën e Ujit të Bekuar. Pas meshës së drejtuar nga peshkopi Nikolla, në katedralen e Shën Pavlit dhe Shën Astit, besimtarët, së bashku me dhjetra qytetarë të tjerë durrsakë, megjithë reshjet e shiut që vazhduan pa ndërprerje, janë drejtuar në portin detar të Durrësit, ku u zhvillua edhe ceremonia e hedhjes së Kryqit në ujë. Shtatë djem të rinj u përpoqën të kapin Kryqin në ujërat e ftohtë, por fati i buzëqeshi 21-vjeçarit Fatjon Bushi, student në Universitetin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit.
Pas shërbesës së Ujit të Bekuar besimtarët e marrin ujin që u shërben për shërimin shpirtëror dhe trupor për vehte dhe familjarët e të afërmit e tyre.

(aq/shqiptarja.com)