Ka përfunduar plotësisht procesi i legalizimit në njësinë administrative Katund i Ri në Durrës. Aluizni ka shpërndarë mbi 1400 leje legalizimi. Procesi i legalizimit për të gjithë zonën rezultonte i panisur dhe i mbetur në fazën fillestare, ndërsa tashmë banoret kanë marrë certifikatat e pronësisë për objektet dhe banesat e tyre.
 
Drejtori i Aluiznit Durrës, Flamur Gjuzi u shpreh se pas një pune voluminoze ne këtë zonë ka përfunduar me sukses i gjithë procesi i legalizimit. Sipas Gjuzit, tashmë puna do të përqendrohet në njësinë administrative të Sukthit, ku po punohet me ritme të shpejta, me qëllim mbylljen e procesit të legalizimit për të gjitha njësitë administrative, për t’u përqendruar me pas tek qyteti i Durrësit.
 
Gjuzi tha se ka përfunduar procesi i legalizimit për të gjitha njësitë administrative që rrethojnë bashkinë Durrës dhe është drejt mbylljes procesi në Xhafzotaj dhe Sukth.
 
Problem për Aluiznin Durrës mbetet zhbllokimi i zonës A dhe B e qytetit bregdetar, të cilat konsiderohen zona arkeologjike. Bëhet fjalë për rreth dhjetë mijë objekte, të cilat presin të çelet drita jeshile për të vijuar procesi i legalizimit. Me një vendim të Këshillit të Ministrave, zona A dhe B e qytetit bregdetar u konsideruan zona arkeologjike. 

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com