DURRES- Kompania CEZ Shpërndarje njofton se banorët e fshatit Përlat të Durrësit kanë marrë peng tre teknikë dhe makinën e tyre. Sipas kësaj kompanie kjo situatë ka ardhur pasi gjatë ditës së djeshme iu është ndërprerë energjia elektrike, për 430 banorë të cilët nuk e paguajnë energjinë.

Pas ndërprerjes së energjisë nga punonjësit e CEZ, banorët e Përlatit e lidhën vetë atë duke shkatuar dhe një defekt të rëndë në rrjet. Kjo detyroi punonjësit e CEZ të rikthehen në fshat, për të rregulluar defektin, por aty janë përballur me klientët debitorë që i kanë dhunuar me qëllim rilidhjen për debitorët.

“CEZ shpërndarja njofton se banorë të Përlatës të cilëve u është ndërprerë energjia për shkak të mospagesës së faturës së energjisë, sot në mëngjes kanë bllokuar dhe nuk lejojnë largimin nga fshati të punonjësve të kompanisë të cilët kishin shkuar në fshat për të riparuar një defekt të shkaktuar nga lidhjet e paligjshme në rrjet.”- thuhet në njoftimin për shtyp të CEZ

Zëdhënësja e CEZ informon se “gjatë një kontakti që kemi pasur rreth orës 10: 30, banorët kanë marrë makinën e CEZ dhe nuk e kthejnë, ndërkohë që teknikët po detyrohen me dhunë të rilidhin linjat e energjisë elektrike dhe për ata që janë debitorë."

U desh ndërhyrja e forcave të policisë të cilët pasi qetësuan situatën e tensionuar që u krijua mes banorëve dhe punonjësve të CEZ, arritën të zgjidhin konfliktin.  Nga një informacion i marrë nga zëdhënësja e drejtorisë së policisë së Durrësit rreth orës 11: 41 minuta situata është qetësuar dhe është arritur të gjendet një konsensus. CEZ vendosi të rilidhë të gjitha linjat ndërkohë që banorët debitorë në ditët në vazhdim do të bëjnë pagesat e detyrimeve të pashlyera.
(sg/shqiptarja.com)