DURRËS – Prej më shumë se 5 orësh pasagjerët e tragetit të linjës Bari – Durrës, “Adriatika Queen” janë bllokuar në mjetin me të cilin po udhëtonin. Prishja e sistemit elektrik ka bërë që të bllokohet porta e daljes së pasagjerëve. Për pasojë, njerëzit dhe makinat në bordin e tragetit për orë të tëra nuk kanë mundur dot të zbresin në tokë. Trageti ka mbërritur pranë portit të Durërsit rreth orës 9 të mëngjesit të sotëm dhe sipas kapitenerisë është dashur bërja e manovrave për të normalizuar situatën. Përmes tyre u arrit që “Adriatika Queen” të rrotullohej plot 180 gradë, për të bërë të mundur që pasagjerët të zbrisnin nga porta dytësore e tragetit.

TRAGETI PROBLEMATIK
Ky nuk është rasti i parë që “Adriatika Queen” kryen një udhëtim me probleme. Një tjetër traget i kësaj kompanie, prej shumë muajsh është bllokuar nga autoritetet portuale të Italisë, pas plagosjes së një punëtori për shkak të një defekti të ngjashëm në sistemin e ndezjes së mjetit lundrues.
Ndërsa, i njëjti traget, deri pak javë më parë ka qenë i bllokuar nga të njëjtat autoritete për shkak të defekteve të herëpashershme në sistemet e saj.
“Adriatika Queen” iu rikthyer lundrimeve vetëm pak javë më parë.

(aq/shqiptarja.comREDAKSIAONLINE)