DURRËS- Pas denoncimeve të shumta nga qytetarët dhe pas më shumë se dy muaj hetimi, është arrestuar 21-vjeçari nga Dibra i cili shiste siguracione makinash fale në tregun e Barit.
Në pranga ka rënë F. B., 21-vjeç. Hetimi nisi pasi u pikasën disa raste të qytetarëve që vinin nga porti i Barit të Italisë drejt Shqipërisë me siguracione makinash false, ku dëshmia e tyre çoi në arrestimin e 21-vjeçarit. Ky i fundit kishte arritur që të shiste plot 13 siguracione makinash, në emër të shoqërive të ndryshme sigurimi, për automjetet që hyjnë në Shqipëri.
Mbi të rëndon akuza për veprat penale "Falsifikimi i letrave me vlerë", "Mashtrimi" dhe "Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve".
Njoftimi i plotë i policisë
"Finalizohet operacioni policor i koduar "Siguracioni", për goditjen e falsifikimit të siguracionit të automjeteve. Operacioni nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në D.V.P Durrës, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës.
Finalizimi i operacionit pas një hetimi dymujor mbi bazën e denoncimeve të shumta të qytetarëve, që kishin rënë pre e mashtrimit në Portin e Barit, Itali. Në pranga 21-vjeçari nga Dibra.
Dokumentohen 13 raste të mashtrimit me Policë Sigurimi për automjete të qytetarëve që udhëtonin nga Italia për në Shqipëri. Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në D.V.P Durrës, pas denoncimeve të shumta të qytetarëve që udhëtonin nga Bari, Itali për në Shqipëri me automjete dhe kishin prerë siguracion për automjetet e tyre në portin e Barit, të cilat pas kontrollit nga Policia kishin rezultuar të falsifikuara, referoi materialet në Prokurori dhe regjistroi procedimin penal për zbardhjen e këtyre rasteve.
Pas një hetimi dymujor, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në D.V.P Durrës finalizoi operacionin policor “Siguracioni”, si rezultat i të cilit u bë ndalimi i shtetasit: F. B., 21 vjeç, banues në Dibër, për veprat penale "Falsifikimi i letrave me vlerë", "Mashtrimi" dhe "Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve".
Nga hetimet e kryera rezulton se ky shtetas gjatë muajit korrik 2019, në Portin e Barit, Itali, ka falsifikuar 13 Siguracione (TPL), në emër të shoqërive të ndryshme sigurimi, për automjetet që hyjnë në Shqipëri. Ndërkohë po vazhdon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, si dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të implikuar. Materialet procedurale i kaluan për veprime të mëtejshme Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës", njofton Policia.