Një shtetas me kombësi të huaj u gjet i pajetë në akuatoriumin e portit të Durrësit mëngjesin e kësaj të premteje. Policia tha se trupi ishte i dekompozuar ndërsa ende nuk dihet identiteti i tij.
Report Tv përmes burimeve ka mësuar se ngjarja zë fill fundjavën e kaluar, kur tre refugjatë sirianë kanë tentuar të imbarkohen në tragetin "Marina", i cili ishte i ankoruar tek ish-kantieri në kalatat e portit.
Sirianët janë ngjitur në traget mbrëmjen e së dielës por janë diktuar nga ekuipazhi, i cili ka njoftuar policinë kufitare. Më tej tre refugjatët janë hedhur në det, dy prej tyre kanë arritur të dalin, ndërsa njëri ka mbetur në det. Burimet thanë se polumbarët e portit kanë kërkuar për gjetjen e trupit por pa rezultat. Mëngjesin e sotëm trupi i pajetë ka dalë në sipërfaqe.
Mbetet ende mister mënyra se si kanë arritur sirianët të mbërrijnë deri në kalatat e portit të Durrësit, dhe fakti se policia nuk ka bërë asnjë njoftim për ngjarjen përgjatë 5 ditëve.
Njoftimi i policisë
Më datë 10.07.2020, rreth orës 07:45, në akuariumin e portit, është gjetur i mbytur një shtetas ende i paidentifikuar, i seksit mashkull, i dekompozuar. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe për zbardhjen e ngjarjes.