DURRES - Struktura Kundër Narkotikëve pranë Sektorit Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Durrës bëri të mundur kapjen e 5 shtetasve të shpallur në kërkim nga drejtësia italiane për vepra penale në fushën e narkotikëve dhe pjesëmarrjes në organizata kriminale. Lajmi u bë i ditur sot përmes një komunikate për shtyp.

Në orën 23:10 të ditës së djeshme u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Eni Mullaj, 34 vjec, banues në Durrës, i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje. Autoritetet e drejtësisë italiane kanë derguar një Urdhër Arrest të dates 15.12.2006, pasi ky shtetas është dënuar me 30 vite burg për veprat penale te pjesëmarrjes në organizata kriminale dhe trafik të lëndëve narkotike.

Policia gjithashtu arrestoi shtetasin Altin Bejko, 38 vjec, banues në Durrës, i cili është dënuar nga drejtësia italiane me 24 vjet dhe një muaj burg për trafikim të lëndëve narkotike.

Prangat iu vunë edhe shtetasit Xhorxh Deda, 49 vjec, banues ne Durres, pasi është dënuar në Itali me 12 vjet dhe një muaj burg për veprën penale të trafikimit të lëndëve narkotike.

Ndërsa gjatë ditës së sotme, policia arrestoi edhe dy persona të tjerë, gjithashtu të kërkuar nga drejtësia italiane. Bëhet fjalë për Klodjan Dedja, 36 vjeç dhe vëllain e tij Adriatikun, 40 vjeç, të dy banues në Komunën Xhafzotaj të Durrësit. Ata janë dënuar në Itali me 20 vjet dhe 1 muaj burg secili për veprën penale të pjesëmarrjes në organizata kriminale dhe trafikim të lëndëve narkotike.

Autoritetet shqiptare kanë nisur procedurat për ekstradimin e tyre drejt Italisë.

(im/shqiptarja.com)