Një aksident rrugor është shënuar në Durrës, ku një automjet ka përfunduar te shkallët e Amifiteatrit. Megjithatë ky nuk është incidenti i parë që shënohet në këtë zonë.
Prej disa kohësh, makina turistësh që vizitojnë qendrën e Durrësit në orët e vona përfundojnë gabimisht tek shkallët pranë amfiteatrit, në rrugën “Sotir Noka”, duke ndjekur orientimin e GPS-it.
Situata ka krijuar rrezik real, sakaq banorët e zonës raportojnë dëmtime të shkallëve të mermerit, si pasojë e përpjekjeve të drejtuesve të mjeteve për të shmangur aksidente më të rënda.
Pavarësisht tabelave sinjalizuese të vendosura nga vetë banorët, rreziku vijon të mbetet i pranishëm. Në një qytet që po konsolidohet si destinacion turistik gjatë gjithë vitit, mungesa e sinjalistikës së duhur pranë monumenteve historike mbetet një problem serioz.

Foto:Rruga që ndjekin turistët
Komente











