Një aksident rrugor është verifikuar pasditen e kësaj të mërkure në Durrës, me pasojë plagosjen e dy personave.

Ngjarja ka ndodhur tek vendi i njohur si “Rrota e Kuqe”, ku një automjet tip “Audi” ka goditur një motor në ecje e sipër, me të cilin udhëtonte një çift bashkëshortësh.

Nga të dhënat e para rezulton se nga goditja e fortë, burri, shtetasi me inicialet S.K, rreth të 60-ave, ka marrë lëndime të rënda. Ndërsa gruaja, L.K, ka marrë plagë të lehta dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Autoritetet shëndetësore lokale njoftojnë se për shkak të gjendjes së rëndë, 60-vjeçari është dërguar për mjekim të specializuar drejt Spitalit të Traumës në Tiranë.

Ndërkohë, uniformat blu të mbërritura në vendin e ngjarjes kanë bërë të mundur ndalimin e drejtuesit të mjetit, një shtetase me inicialet M.S, 40 vjeçe.

G.F. / Shqiptarja.com