Ndahet nga jeta në moshën 89 vjeçare 'Mjeshtri i Madh', Lutfi Hoxha, aktor i dhjetëra roleve në teatër dhe kinematografi.
Ishte teatri "Aleksandër Moisiu' 'shtëpia e tij e dytë' deri në vitet e fundit të jetës që dha lajmin për ndarjen nga gjiri i tyre artistik të xhevahirit të fundit të Plejadës së Artë të këtij teatri
“Qofsh i dritës engjëll i mirë e i bardhë. Lutfi Hoxha e jetoi këtë jetë në skenë, aty ku dha gjithçka” shkruhet në mesazhin e Teatrit
Për shumë dashamirës të filmit shqiptar, Hoxha është 'babai i Tilit' në filmin “Shoku ynë Tili’ ndërsa mes aktorëve të Durrësit ai ishte 'Luti'.
Deri në vitet e fundit Lutfi Hoxha sfidoi moshën duke qenë aktiv dhe pjesëmarrës në disa nga premierat e teatrit “Aleksandër Moisiu”, pikërisht aty ku kishte hedhur hapat e parë të profesionit në vitin 1953.
Numërohen 66 vite jetë artistike si profesionist duke “bashkëjetuar” me 95 role në teatër dhe 22 të tjerë në kinematografi.
Ndërsa në 2018 interpretoi në filmin artistik “Derë e Hapur”, duke thyer edhe një rekord tjetër si një nga aktorët me karrierë më të gjatë të kinemasë shqiptare, karrierë që nisi me filmin “Detyrë e posaçme” në vitin 1956.
Homazhet për Mjeshtrin Hoxha do të mbahen nesër në Teatrin "A.Moisiu".
Karriera artistike
Ishte vetëm 18 vjeç, kur bashkë me disa nga artistët më të mirë amatorë të qytetit bregdetar më 11 janar të vitit 1953 i dhanë jetë teatrit “Aleksandër Moisiu”.
Lutfiu kishte interpretuar disa role në grupet amatore të kantierit detar, ndërsa ishte shquar më shumë si kërcimtar me grupin e pallatit të kulturës.
Me mënyrën e tij të thjeshtë dhe një stil vetjak për të bërë teatër pa qenë kurrë teatral dhe duke mbetur përherë i freskët, pa e njohur fjalën “përsëritje” ai diti të realizonte figura të spikatura në dramaturgjinë kombëtare dhe në atë të huaj.
Rolet në pjesët “Votra e huaj” e Ndrek Lucës; “Bileta e llotarisë” e Dionis Bubanit; “Prindër edukatorë” e Spiro Çomorës; “Martesa” e Gogolit; te “I sëmuri imagjinar” i Molierit dhe te “Dredhitë e Skapenit” e bënë aktorin durrsak mjaft të dashur për spektatorin e teatrit.
Në Kinematografi pas filmit “Detyrë e posaçme” Lutfi Hoxha luan edhe në filmat “Thirrja”, “Shoku ynë Tili”, “Pylli i lirisë”, “Ilegalët”, “Dollia e dasmës sime”, “Nata e parë e lirisë”, “Valsi”, për të mbërritur te filmat “Ne dhe Lenini” apo “Derë e hapur”.
Gjatë viteve të punës ai ka qenë pasqyrë e njeriut të mirë me zemër të madhe dhe një pedagog i mrekullueshëm në rrugën e mjeshtërisë së aktorit për aktorët e rinj të teatrit “Moisiu”.
“I falem skenës, vendit ku u rrita dhe që nuk më le të plakem- do të deklaronte me emocion Lutfi Hoxha, Mjeshtri i Madh dhe Artisti i Merituar në 1 qershor 2019 teksa festonte 85-vjetorin.
Aktor brilant,thjeshtesia qe triumfon mbi ekzaltimin e disa te tjereve qe nuk e meritojne prezantimin karrieristik
PërgjigjuPo tamam nje xhevahir, ngushellime!
Përgjigju